GREQI, 27 shkurt 2013 – Gjykata greke ka dënuar sot me burgim të përjetshëm një politikan të korruptuar. Gjykata vendosi që ish-kryebashkiaku i Selanikut, Vasilis Papageorgopoulos të shoqërohet për në burgjet e Diavatas.
Ish-kryetari i bashkisë së Selanikut, është politikani i parë në Greqi që merr dënimin maksimal për korrupsion, pra për shpërdorim detyre dhe vjedhje të pasurisë kombëtare.
Edhe pse ai pretendoi se “u dënua me burgim të përjetshëm pa asnjë provë kundër tij”, gjykata nuk hezitoi aspak ta marrë këtë vendim duke marrë parasysh se Papageorgopoulos kishte vjedhur arkat e bashkisë së Selanikut dhe pronën publike, edhe në kohën para se të bëhej kryebashkiak i qytetit.
“Jam shumë i sigurt se fshehurazi, asnjë qytetar i Selanikut dhe asnjë qytetar grek, nuk beson se Vasilis Papageorgopoulos i tradhtoi. Do të pres vendimin e gjykatës së apelit. Disa do të vdesin me fajet e tyre”, deklaroi ish-kryetari i bashkisë së Selanikut.
Ndërkohë, pak më parë, tre anëtarë të Gjykatës së Apelit kishte dhënë dënimin me burgim të përjetshëm, veç ish-kryebashkiakut të Selanikut dhe bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë.