TIRANË, 27 shkurt 2013– Kreu i FRD-së në një leksion të hapur me studentë që u bënë pjesë e kësaj force politike, premtoi për ta se do jenë pjesë vitale e FRD-së. 

“Sot ju jeni të ndërgjegjshëm për rolin që duhet të merrni, rinia nuk shihet si shtojcë e strukturave për partinë tonë, por si pjesë vitale. Ju jeni të painfektuar nga ajo që janë infektuar një pjesë jo e vogël e politikës shqiptare. Premtimet sot të protagonistëve të së shkuarës, që janë edhe në të tashmen janë vetëm ato që përsëriten në kohë fushatash elektorale. Rinia duhet parë si një e mirë e përgjithshme e një gjenerate që do marrë në dorë fatet e Shqipërisë”, tha Topi. 

Topi nënvizoi se, “FRD është një forcë politike nuk merret me të tjerët, por do të ndërtojë një model real. Ne dëshirojmë që nëpërmjet programit tonë cështjet që kanë të bëjnë me rininë të jenë realiste dhe prioritare”. 
Topi tha më tej para studentëve, se aktorët politikë sot nuk kanë mbajtur premtimet, por nga ana tjetër nuk i japin kujt llogari për këto premtime të pambajtura. 

“Është e papranueshme që të njëjtët aktorë politikë vijnë dhe japin të njëjtat premtime që duhet ti kishin realizuar 4, 8 apo 12 vjet më parë. Ata kanë për qëllim konservimin e pushteteve, duan të kalojnë nga një orbitë në një tjetër dhe të mos japin llogari. Ata që kanë marrë përsipër të qeverisin Shqipërinë kanë shumë llogari për të dhënë, pasi shumë prej premtimeve që kanë bërë kanë mbetur në letër”, tha ai. 

Kreu i FRD-së, i bëri apel të rinjve t’i japin fund monopolit që duan të krijojnë në politikë, dy individë, sic tha ai për kryeministrin Berisha e kryesocialistin Rama. 

“Politika shqiptare do të monopolizojë pushtetin tek dy individë, mua më vjen keq që protagonistët e vjetër ende s’po mësojnë nga vendet që na rrethojnë. Dështimi i bipolarizimit në Itali, Greqi. Bipolarizimi ka bërë që institucionet të mos jenë të pavarura, që pushteti të zhvendoset në këmbët e një individi. 

“Kryeministri dhe kreu i opozitës i janë larguar rrugës për të qënë të barabartë para ligjit. Ata hartuan një kod zgjedhor që i shkon për shtat vetëm qëllimeve të tyre politike. Prandaj sot i demaskojmë dhe duhet t’i japim fund hegjemonisë së bipolarizimit të deformuar”, shtoi Topi. 

Para të rinjve kreu i FRD-ës bëri me dije se, “Të hënën në datë 4 Mars ne do shpalosim programin paraprak”, i cili sic nënvizoi Topi do të konsultohet më pas me grupet e interesit. 

“Dita e votimit është një e drejtë legjitime e kushtetuese, nuk duhet të shfrytëzohet si moment mekanik, vota duhet të jetë bindje për të projektuar të ardhmen e një brezi”, iu tha ai të rinjve.