VATIKAN, 27 shkurt 2013– Benedikti XVI kaloi për herë të fundit përmes sheshit Shën Pjetër, duke bekuar besimtarët e shumtë që ishin mbledhur në Vatikan për të dëgjuar meshën e tij të lamtumirës. 85-vjeçari Ratzinger u duk i emocionuar, por me buzëqeshje i siguroi besimtarët se nuk do ta braktisë Kryqin. 

“Jam i mallëngjyer, sepse Kishën e shoh të gjallë. Në këtë moment shpirti im zgjerohet për të përqafuar të gjitha kishat e shpërndara në botë.”- deklaroi Papa, pak orë pas largimit të tij nga drejtimi i Kishës së Shenjtë. 

Më tej 85-vjeçari Ratzinger kujtoi kur 8 vite më parë pranoi të merrte detyrën e rëndësishme. “Zot përse ma kërkon këtë gjë? Eshtë një peshë që më vendos mbi shpatulla, por nëse ti ma kërkon unë e pranoj, sigurisht që ti do të më ndihmosh edhe me gjithë dobësitë e mia. Dhe Zoti realisht më drejtoi.”- tha ai. 

“Largohem , por nuk do ta braktis kryqin”- i siguroi besimtarët Benedikti XVI, duke u kërkuar gjithashtu të luten për pasardhësin e tij. “Ju kërkoj të më kujtoni përpara Zotit dhe mbi të gjitha të luteni për kardinalët dhe për pasardhësin tim. Zoti e shoqëroftë me dritën dhe forcën e shpirtit.”- tha Benedikti. 
Pas përfundimit të meshës së fundit, Benedikti XVI do të largohet me helikopter. Nga ora 20 e datës 28, ai nuk do të jetë më Papë. Prej mbrëmjes së të enjtes do të mbajë titullin "Papa i Tërhequr Shenjtëria e Tij Benedikti XVI". 85-vjeçari Ratzinger dha dorëheqjen më parë gjatë shkurtit, duke justifikuar këtë vendim me gjendjen e tij të dobët shëndetësore. 

Gjatë një fjalimit për audiencën e tij të fundit i mallëngjyer ai tha: “Kam patur momente vërtetë të gëzuara, por ndonjëherë më dukej se Zoti ishte duke fjetur”.