TIRANE, 27 shkurt 2013– Kryeprokurori Adriatik Llalla ka firmosur dje ndryshimin e drejtuesve të prokurorive në disa qytete të rëndësishme në vend. Ndryshimet kanë prekur Prokurorinë e Durrësit, të Kavajës dhe Laçit.
Ndryshimet në drejtimin e këtyre prokurorive mësohet se kanë ardhur pas analizave të punës zhvilluar në lidhje me treguesit e ndjekjes penale të vitit që kaloi, 2012. Pak ditë më parë, një ish-prokuror në Krujë, i shkarkuar nga ish-prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe ish-presidenti Bamir Topi, ka fituar gjyqin dhe të drejtën e kthimit në punë.
Prokurori Bujar Çiçi, sipas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Tiranës nr. 20, datë 15 shkurt 2013, ka fituar të drejtën e kthimit në punën ku ka qenë. Togat e zeza urdhërojnë Prokurorinë e Përgjithshme që t’i paguajë të dëmtuarit nga shkarkimi pagën e munguar për gjithë periudhën e qëndrimit pa punë.
BETEJA LIGJORE
Më 22 prill 2008, pas një inspektimi në Prokurorinë e Krujës, referuar kontrollit ndaj prokurorit Bujar Çiçi dhe “shkeljeve” që ishin gjetur, ish-kryeprokurorja Ina Rama i ka propozuar Presidentit masën e shkarkimit për vartësin e saj. Në datën 7 maj 2008, Presidenti i Republikës ka vendosur shkarkimin e prokurorit Bujar Çiçi duke firmosur dekretin përkatës. Menjëherë pas shkarkimit, prokurori i Krujës ka bërë padi në gjykatë duke kundërshtuar procedurën e ndjekur ndaj tij si shkarkim të padrejtë e të pajustifikuar.
Çështja është gjykuar njëherë, por për shkak të ndryshimeve në ligjin e Prokurorisë, Gjykata e Lartë e ktheu në Apel për rishqyrtim, ku u bë një rregullim ndërgjyqësie, duke përfshirë edhe Presidencën si palë dekretuese. Pas vazhdimit të gjykimit, “Gjykata e Apelit konstatoi se përfundimi i arritur nga prokurori i përgjithshëm për shkarkimin nga detyra të prokurorit Bujar Çiçi nuk është i mbështetur në ligj”. Gjatë kontrollit ishte pretenduar për qëndrimin “e zbutur” të prokurorit në një dosje vrasje. Ai kishte ngritur akuzën e vrasjes së thjeshtë, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme pretendoi se akuza që duhej ngritur ishte vrasje me dashje.
Pavarësisht se prokurori u shkarkua për këtë mendim të tijin, dosja penale u dërgua në gjyq me akuzën që kërkuan eprorët e tij, por në Gjykatën e Lartë, në përfundim të procesit, ndaj të pandehurit të dosjes u kualifikua pikërisht akuza e vrasjes me dashje, e ngritur që në fillim të çështjes nga prokurori Bujar Çiçi. “Ky përfundim i Gjykatës së Lartë vërteton se akuza e ngritur nga prokurori Bujar Çiçi ka qenë e drejtë”, thekson Gjykata e Apelit në vendimin e saj të shpallur më datë 15 shkurt 2013.





