TIRANE, 27 shkurt 2013- "Vëllai im nuk është i përfshirë në vrasjen e shefit të policisë”. Ky ka qenë reagimi i vëllait të biznesmenit Arben Frroku, autorit të arrestuar në Greqi si personi i dyshuar për vrasjen e kryekomisarit të policisë Dritan Lamaj. Mark Frroku, ka pohuar për “Gazetën Shqiptare” se të gjitha lëvizjet e vëllait të tij janë të regjistruara dhe policia mund t’i verifikojë të gjitha. 

Z.Frroku, policia ka arrestuar vëllain tuaj si i dyshuar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj. A mund të na thoni versionin tuaj?

Unë e hedh poshtë versionin e policisë me neveri të madhe, sepse unë e di ku ka qenë vëllai im atë ditë, me kë ka qenë dhe është çdo gjë e regjistruar, është çdo gjë me pamje filmike e regjistruar atë ditë.

A ka qenë policia tek ju për sekuestrimin e pamjeve?

Policia ka qenë tek zyrat tona dhe ka sekuestruar të gjitha pamjet dhe e ka marrë kompjuterin në laborator. 
 

Ku ka qenë vëllai juaj atë ditë?

Vëllai im ka qenë duke parë ndeshje në Laç, mes Kamzës dhe Tërbunit, dhe më pas ka qenë në kompleksin tonë, – është çdo gjë e regjistruar, – dhe më pas është nisur në Selanik. 
 

Kur ka dalë nga zyra vëllai juaj?

Nga zyra ka dalë në orën 5:30. Më saktësisht, vëllai im është futur në zyrë në 16:56 minuta dhe është i filmuar duke dalë nga kompleksi në orën 17:27 minuta.
 

Sipas policisë, vrasja e komisarit të policisë është bërë në orën 18:18 minuta, vëllai juaj ka dalë në orën 17:27 minuta; nuk lë vend për dyshime kjo?

Nuk lë aspak vend për dyshime, sepse pasi vëllai im ka dalë nga zyra, ka ndjekur itinerarin për të vazhduar rrugën drejt Selanikut. Nuk e di se kur e ka kaluar doganën, por aty është sistemi TIMS. Ai ka kaluar me të gjitha rregullat, me makinë, me pasaportë. Nëse bën llogaritë, që nga momenti i daljes së vëllait tim nga zyra deri sa ka mbërritur në doganë, del qartë që vëllai im ka ndjekur vetëm itinerarin drejt rrugës së Selanikut. 
 

Ka dyshime se një telefonatë që ka bërë vëllai juaj nga Greqia e ka tradhtuar atë. Pse ishte nisur drejt Selanikut vëllai tuaj? Absolutisht, policia ka ndjekur valët e telefonit, por vëllai im nuk ka ikur në Greqi për këtë punë, ka ikur për punët e tij personale, por policia, siç ka ndjekur valët e celularit, mund të ndjekë, që nga dalja nga kompleksi deri në destinacionin e fundit, sepse falë teknologjisë çdo gjë është lehtësisht e verifikueshme. 
 

A ka pasur konflikte vëllai juaj me kryekomisarin Lamaj?

Ka pasur konflikte si gjithë të tjerët. Ai ka pasur konflikte me 120 qytetarë dhe nuk është vetëm vëllai im. 
 

Juve thoni që vëllai juaj nuk është i përfshirë në këtë ngjarje; atëherë, pse e ka arrestuar policia?

Këtë e dinë ata. 
 

A i ka dërguar vëllai juaj kërcënime familjes së policit?

Absolutisht nuk është e vërtetë kjo. Nuk i ka dërguar asnjë kërcënim. Është lehtësisht e verifikueshme; e verifikon kompania celulare me tabulate dhe as vëllai im dhe as familja ime nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e zotërisë. 
 

Si i përgjigjeni versionit për kryerjen e vrasjes me pagesë?

Përgjigjja ime është që, as unë, as vëllai im, as familja ime, nuk jemi të përfshirë në këtë histori në mënyrë absolute.