TIRANE, 26 shkurt 2013– Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka prezantuar sot kandidatin për deputet të PS-së në Kukës, Vexhi Muçmatën. "Me gjithë këto probleme,- tha Rama,- fatkeqësisht Kukësi përfaqësohet në Kuvend nga individë që nuk i njohin problemet e thella të tij edhe në Qeveri nga një person që ngjan më shumë me një kapter në filmin "Koncert në vitin '36", sesa me një personazh real. Prandaj unë po ju prezantoj sot një burrë të urtë, fisnik, djalë i atij komuniteti, Vexhi Muçmatën, që do të udhëheqë skuadrën tonë në Kukës. I jam mirënjohës që ndërpreu punën e tij për të përfaqësuar Kukësin. Në fund, unë do të bëj edhe një rrëfim që ka të bëjë me të. Vexhiu më tha se kam një metë, që mbase s'më lejon të merrem me politikë; nuk di të shaj dhe kurrë nuk do ti shaj kundërshtarët e mi në Kukës edhe po të më mbulojnë me të shara", tha Rama.
Por pas prezantimit të kandidatit për deputet në qarkun e Kukësit, deputeti aktual i PS, në qarkun verior Asllan Dogjani e ka etiketuar kreun e selisë rozë si diktatorin Enver Hoxha dhe si një njeri arrogant që nuk merr parasysh dëshirat dhe opinonet e shprehura nga anëtarësia dhe simpatizantët e PS-së.
Reagimi i plotë i deputetit Asllan Dogjani në Facebook
"Sot, Edi Rama tregoi arrogancën e vet dhe dha provën e radhës se nuk do të dijë për asnjë njeri, jo vetëm në Kukës, por as në gjithë Shqipërinë. Nuk do të dijë për anëtarët e simpatizantët e Partisë socialiste të Kukësit, të cilët kanë tetë vjet që kontribuojnë në opozitë, pasi nuk i pyeti dhe nuk u mori mendim as për emërimin e kryetarit të partisë në rreth e as për kandidatin për deputet që e prezantoi sot.
Nuk pyeti dhe hodhi në kosh kërkesën e mbi 250 anëtarëve të Partisë Socialiste që kërkuan të drejtën për të zgjedhur kryetarin e tyre me votë duke treguar se rregullat janë bërë formalisht dhe jo për t’u respektuar.
Ky njeri HAKEMARRES nuk di as të reflektojë, pasi nuk i pëlqen e vërteta, nuk dëgjon, nuk i pëlqejnë parimet dhe vlerat, ka frikë të përballet me argumentet dhe realitetin. Ai nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë një socialist i vërtetë. Ka menduar dhe mendon vetëm për interesat e veta.
Tregoi se është një kryetar pa dinjitet. Kjo është fytyra e vërtetë e tij dhe jo ajo që e tregon çdo ditë nga ekrani i televizorit.
Duke pasur këto probleme ai nuk pati as guximin të shkonte në Kukës që të prezantonte në terren, në mes të anëtarëve të Partisë Socialiste, kandidatin për deputet.
Ky njeri që nesër pretendon të bëhet Kryeministër u tregoi shqiptarëve se po kërkon ta identifikojë Partinë me kryetarin, tamam si në kohën e diktaturës, ku partia identifikohej me Enverin.
Por socialistët e vërtetë do fitojnë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe do vendosin me votë për kryetarin e tyre. Me njerëz të tillë, Partia Socialiste nuk mund të ecë përpara", shkruan Dogjani në "Facebook".
/m.b Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





