SHKODËR, 26 shkurt 2013- Cilësia e drejtësisë vijon të mbetet thelbi i problemit, pasi është dhe pika ku qytetarët kanë hapësira për të na gjykuar, tha sot Elvis Çefa Nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i pranishëm në analizën vjetore që zhvilloi Gjykata e Rrethit Shkodër.
Nënkryetari i KLD-së, Çela, u shpreh se “ praktiksht, të gjithë e dimë shumë mirë që megjithë këtë volum pune, sistemi gjyqësor, është i kritikuar në përgjithësi nga opinioni publik. Kjo, do të thotë se problemi nuk është tek shifrat, por në thelbin e problemit, që sikurse të gjithë e dimë, është cilësia e dhënies së drejtësisë. Ajo është e ndjeshme, është e prekshme nga publiku, dhe aty edhe gjyqtarët gjykohen nga publiku”, u shpreh Çefa.
Nënkryetari i KLD, Elvis Çefa, shtoi gjithashtu se përtej, të gjithë këtyre shifrave, ngelet përgjithësisht marrëdhënia, gjykatë-publik, që për aq sa unë po vërej nuk është në nivelet që ne duhet ta bëjmë.
Ndërkohë, ai u ndal edhe në problematiken e voneses në dorëzimin e dosjeve, duke bërë të ditur, që për hir të së vertetes, në këtë gjykatë, nuk janë të pakta, megjithë vështirësitë e punës. Në këtë këndvështrim ai i'u bëri me dije të gjithëve, se "Këshilli i Lartë i Drejtësië, në qëllimin e tij, sigurisht që ka rritjen e bashkëpunimit me gjyqtarët, në mënyrë që t’i ndihmojë ato në funksion të dhënies së drejtësisë. “Por, KLD, duhet të jetë i vendosur dhe duhet të ketë një qëndrim të prerë dhe aspak tolerant ndaj atyre gjyqtarë që do të abuzojnë me rrobën e tyre, me veshjen e tyre, me cilësinë e të qënurit gjyqtar", nënvizoi ai.
Në vazhdim, Çefa foli edhe për politiken penale, ku duke bërë të ditur se kohët e fundit jemi dëshmitarë të disa ngjarjeve të rënda të ndodhura rishtazi, ai i kërkoi gjyqtarëve që të jenë konstant në aplikimin e politikave penale, që të jenë të drejtë dhe aspak tolerant me krimin. “Përtej kësaj salle, përtej rrobes, ne jemi të gjithë njerëz, jemi familjarë, jemi prindër, dhe të gjithë bashkë duam një ambient, më të sigurtë, dhe më të qetë, për veten tonë për familjet tona, prindërit tonë. Prandaj, shkelsin e ligjit, njerëzit e papërgjegjshëm që përbëjnë rrezikshmëri për shoqërinë, sigurisht duhet të kenë dënimin e merituar.”, tha ai.