TIRANË, 26 shkurt 2013- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami priti sot në një takim shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Greqisë, gjeneral Mikhail Kostarakos, i cili në krye të një delegacioni të lartë ushtarakësh grekë ndodhet në Tiranë në një vizitë zyrtare. 

Duke vlerësuar bashkëpunimin ministri Imami diskutoi me gjeneralin Kostarakos mbi këmbimin e stafit akademik ushtarak dhe studentëve për kurse të formimit strategjik. 

Nga ana e tij gjeneral Mikhail Kostarakos është shprehur i gatshëm për këtë iniciativë, ndërsa u shpreh se një gjë e tillë do të bëjë të mundur përmirësimin e përgatitjes në fushën e arsimimit ushtarak. 

Më herët shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura greke, gjeneral Mikhail Kostarakos është pritur me Truproje Nderi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi. Po sot gjeneral Kostarakos i shoqëruar nga gjeneralmajor Gjunkshi ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.