TIRANE, 26 shkurt 2013– Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve është mbledhur të martën për të shqyrtuar kërkesën e 16 deputetëve të Partisë Demokratike për t`i hequr mandatin deputetit socialist Fidel Ylli.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është shprehur se Këshilli do të bëjë verifikimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të deputetit të PS-së, Fidel Ylli ndërsa në seancën e ardhshme deputeti mund të paraqitet në një seancë dëgjimore.
Relatori i grupit të PD, Edi Paloka u shpreh se mandati i deputetit Fidel Ylli është i papajtueshëm me nenin 70 të Kushtetutës, pasi sipas tyre ai ka ushtruar veprimtari fitimprurëse gjatë periudhës që ka marrë mandatin e deputetit.
“Deputeti socialist Fidel Ylli ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç dihet, dhe siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike. Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”, thuhet në kërkesën e grupit të PD-së të dorëzuar një muaj më parë.
Në kërkesën tyre, deputetët e PD-së i kërkojnë Kuvendit që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konfliktit të interesit të deputetit të PS-së.
Gjatë seancës së sotme u vendos dita e mërkurë e javës tjetër si ditë kur deputeti i PS-së Fidel Ylli mund të paraqesë qëndrimin e tij dhe argumentimin ligjor për akuzuat e bëra në një seancë dëgjimore në Kuvend.
Pas votimit në parlament me shumicë të thjeshtë të kërkesë së grupit të deputetëve të PD, këta të fundit kërkojnë dërgimin e mandatit të Fidel Yllit në Gjykatën Kushtetuese.