TIRANE, 24 shkurt 2013– Krijimi i një poli të tretë në zgjedhjet e 23 qershorit për kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta nuk do të lejonte Shqipërinë të kishte një mazhorancë arrogante.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta duke folur për televizionin “Top Channel” është shprehur se LSI do të bëjë koalicion për zgjedhjet e ardhshme vetëm me ato forca politike që janë progresiste, konstruktive dhe bashkëpunuese.

“Ideja e një poli të tretë apo të qendrës, në thelbin e saj është ideja e mospasjes së një mazhorance të plotë nga një forcë e vetme për arsye se eksperiencat e kanë treguar që mazhoranca të tilla sillen me arrogancë dhe për të frenuar këtë sjellje është e rëndësishme të ketë një ekuilibër në çdo mazhorancë të ardhshme, e cila do të jetë edhe baza e një bashkëpunimi më të përgjithshëm edhe në Parlament, edhe në tërësi në të gjithë sistemin e qeverisjes së vendit”,- u shpreh Meta.

Në të njëjtën kohë lideri i LSI-së deklaroi se forca politike e drejtuar prej tij synon krijimin e një klime kontruktive dhe positive për integrimin e vendit në BE dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

“Për ne ekzistenca në qeveri nuk është e lidhur domosdoshmërisht me ekzistencën e LSI-së, përkundrazi, sepse LSI është krijuar si forcë opozitare dhe duke u distancuar nga qeverisja e asaj periudhe. Për ne është më e rëndësishme që kjo forcë politike t’i shërbejë stabilitetit të vendit, një klime më konstruktive dhe më pozitive, më bashkëpunuese dhe njëkohësisht t’i shërbejë përshpejtimit të atyre reformave që i japin Shqipërisë më shpejt statusin e vendit kandidat në BE, por edhe e ndihmojnë për të përmirësuar situatën ekonomike në vend”,- tha Meta.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/