TIRANË, 25 shkurt 2013Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha kërkoi nisjen e punës për përgatitjen e referendumit për miratimin e 3 ligjeve të nevojshme, që do t’i siguronin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE. Ndërsa akuzoi sërish kryetarin e opozitës për bllokimin e procesit të integrimit, Berisha theksoi se “pas zgjedhjeve të 23 qershorit muri i bllokimit do të rrëzohet përmes referendumit plebishitar”. Sipas kryeministrit, referendumi do të zhvillohet pas zgjedhjeve, në zbatim të Kushtetutës që nuk lejon mbajtjen e referendumit 6 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.

“Statusi bllokohet nga zoti Rama dhe ligjet janë në parlament. Referendumi do të hapë në mënyrë të sigurt rrugën për votimin e tyre, natyrisht pas zgjedhjeve, pas ligjet e vendit nuk lejojnë mbajtjen e referendumit 6 muaj para zgjedhjeve. Referendumi mbetet për tu mbajtur pas zgjedhjeve. Zoti Rusmajli formuloni tekstin që këto ligje të shkojnë në referendum, kësaj here është plebishitar. Janë qindra mijëra të rinj, qytetarë që kanë shprehur mendime pozitive dhe në të gjitha bisedat e bëra kërkohet të mos ketë më bllokim. Duhet ta dorëzojmë sa më shpejt në KQZ, në mënyrë që Presidenti i Republikës të ketë mundësi për ta shqyrtuar dhe dhënë verdiktin e tij për këtë akt madhor në historinë e integrimit të vendit. Le të fillojmë punën që sot, është në nderin tuaj zotërinj deputetë që do të vendosni firmat për t’i thënë atij që mendon se do bllokojë me murin e bllokimit, se Kushtetua na autorizon t’i drejtohemi sovranit kur interesat e këtij vendi e kërkojnë këtë. ”- u shpreh Berisha. 

Shefi i qeverisë renditi disa nga avantazhet që do të kishte vendi dhe qytetarët nga marrja e statusit kandidat dhe u shpreh i bindur se shqiptarët do të dëshmojnë me referendum vullnetin dhe dëshirën për të përparuar në rrugën drejt BE-së. 

“Kurrë ndonjëherë në procesin e integrimit evropian nuk ka ndodhur që një forcë politike të bllokojë dhe të mos votojë në parlament ligjet që kërkohen për marrjen e statusit të vendit kandidat. Status ky që e vendos Shqipërinë në një stacion të ri dhe dinjitoz në procesin e integrimit. Status ky që përbën në mënyrë të padiskutueshme një certifikatë të shquar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Status ky që përbën një ridimensionim të vlerësimit evropian dhe ndërkombëtar të Shqipërisë. Status ky që përben një rrethanë të rëndësishme për shumëfishimin e fluksit të investimeve të huaja direkte nga vendet e BE dhe mbarë bota në Shqipëri. Statusi përbën jo më pak se 50 euro për frymë investime për qytetarët shqiptarë. Para publike të Komisionit Europian që u jepet vendeve që kanë statusin për vend anëtar. Të gjitha këto avantazhe shkelmohen nga egoizmi personal i një njeriu, që në mënyrë të përsëritur ka faktuar se për hir të interesave të tij, dëmton procese që duhet të jenë normale.”- deklaroi kryeministri. 

Më tej kryeministri ironizoi sërish Konventën Kombëtare të PS-së, duke deklaruar se përmes asaj konvente Rama dekapitoi de fakto Partinë Socialiste. Sipas Berishës, Rama u ka dhënë frenat e PS-së ish-drejtuesve të Mjaft-it dhe atyre që ai i cilëson si neobllokmenë, duke anashkaluar eksponentët kryesorë të partisë 70-vjeçare. 

“Ju e patë se kush e paraqiti programin e Nastradinit në Konventë. Ilir Beqja, që më ka meritë të veçantë se ka ndarë paratë e tenderave publike me baxhanakun e kryetarit. Ishin Mjafti dhe 99-shat të cilët morën frenat e partisë 70-vjeçare. Unë bile prisja t’ia ndërronte emrin dhe mos u çudisni se së shpejti do t’i ndërrojë dhe emrin. Largoi të gjithë eksponentët e asaj partie, dhe nderoi Erjon Veliaj për meritën e vetëm se ndërtoi vila me paratë e Mjaftit dhe vodhi kompjuterin për të fshehur gjurmët. Zoti Rama e ka garantuar humbjen, jo vetëm për faktin se në tërësinë e tij ky ka në biografinë e tij numrin e disfatave më të mëdha të rreshtuara njëra pas tjetrës, se çdo politikan tjetër në Europë. Ky e di që është një politikan shumë shumë i mirë por për të qëndruar përfundimisht në opozitë. Ai ka një frikë të madhe nga vota, ka një frikë të paimagjinueshme, ndaj dhe po përgatit vjeshtën e tij, që në fakt do të jetë dimri më i thellë që ai ka përjetuar.”- vijoi kryeministri Berisha.