TIRANË, 25 shkurt 2013 – Shërbimet e pagesës së taksave on-line, 'mTax' dhe 'e-Pagesa' u inauguruan sot tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me pjesëmarrjen e Kryeministrit Berisha. Sipas shefit të qeverisë, shërbimi “Mobile taks” është hapi i parë i projektit Shqipëri mobile. Kryeministri theksoi se 6 vjet më parë gjurmët e dixhitales në Shqipëri ishin inekzistente ndërsa sot Shqipëria dixhitale është realitet i padiskutueshëm.
'MTax' dhe 'e-Pagesa' janë dy shërbimet më inovative të administratës shqiptare dhe asaj tatimore në veçanti. Shërbimi i parë mTax, taksat nga celulari është aplikacioni i parë qeveritar për platformat celulare Apple (iPhone, iPad) dhe Android. Ndërtimi i këtij aplikacioni është një investim prej 13 Milion Lekë i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe i mundëson çdo tatimpaguesi të kontrollojë të gjithë situatën e tij tatimore nga telefoni celular dhe do të ndihmojë tatimpaguesit të deklarojnë dhe paguajnë në kohë detyrimet tatimore pa qenë e nevojshme të paraqiten në sportelet e shërbimit të administratës. Në këtë mënyrë, reduktohen ndjeshëm kostot administrative të biznesit dhe krijohet sporteli i shërbimit Tatimor në dorën e tatimpaguesit.
Shërbimi i dytë është pagesa elektronike (e-Payment), një investim prej 10 milion lekë i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Është zhvilluar sistemi i pagesës elektronike i cili lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me bankat e nivelit të dytë, për të realizuar pagesat nga biznesi për llogari të administratës tatimore. Të gjithë tatimpaguesit të cilët deklarojnë mund të bëjnë pagesën e detyrimeve tatimore në Internet nëpërmjet formës elektronike në sistemin e Tatimeve pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet e bankës. Ky shërbim shkurton kohën që i duhet një biznesi të deklarojë dhe paguajë detyrimet tatimore, duke ulur kostot administrative të biznesit, rritur transparencën dhe cilësinë e shërbimeve të administratës tatimore ndaj bizneseve.
Gjatë vitit të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zhvilluar me sukses projektet në fushën e TI për të ulur kostot administrative për bizneset dhe Administratën, për të rritur shkallen e informimit dhe edukimit te tatimpaguesve, rritur numrin e shërbimeve dhe cilësinë e tyre për të rritur nivelin e deklarimit vullnetar në mënyrë që të arrihen objektivat e qeverise për mbledhjen e te ardhurave; për të qenë Administrate Tatimore me efikase dhe profesionale dhe për të garantuar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
Administrata tatimore ka zhvilluar disa sisteme në mbështetje të këtyre objektivave të cilat janë: e-Pagesa (e-Payment, ku është zhvilluar sistemi i pagesës elektronike i cili lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me bankat e nivelit të dytë për të realizuar pagesat për llogari të Administratës Tatimore. Të gjithë tatimpaguesit të cilët deklarojnë (tashmë vetëm nëpërmjet formës elektronike) mund të bëjnë pagesën e detyrimeve tatimore nëpërmjet formës elektronike pa qenë nevojë të paraqiten në sportelet e bankës.
Pagesa elektronike është një projekt i zhvilluar pjesërisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pjesërisht nga Bankat të cilat kanë mbështetur këtë zhvillim dhe një pjesë e saj nga kompani vendase (S&T). Kosto totale e këtij projekti është 10 milionë Lekë të financuara nga buxheti i shtetit.
Me anë të pagesës elektronike synohet të shkurtohet koha që i duhet një biznesi të deklarojë dhe paguajë detyrimet tatimore, duke ulur kostot e tij administrative, rritur transparencën si dhe zhvillimin e cilësisë se shërbimeve të Administratës Tatimore ndaj bizneseve. Ky projekt është realizuar me Bankën Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen Bank dhe do te zgjerohet deri nëë lidhjen e të gjitha bankave në këtë sistem.
'MTax' (Mobile Tax), ku është hapur një dritare e re e komunikimi të Administratës Tatimore me Tatimpaguesit, duke zhvilluar aplikacionin mobile “mTax”. Ky projekt krijon sportelin e shërbimit Tatimor në dorën e tatimpaguesit. Me anë të këtij aplikacioni të gjithë përdoruesit e tij do të kenë të gjithë informacionin e nevojshëm rreth tatimeve dhe deklarimeve të kryera kudo që ndodhen dhe në çdo kohë. Do të kenë informacionet më të fundit nga Administrata Tatimore, Kalendarin tatimor, i cili do të orientojë dhe ndihmojë tatimpaguesit të deklarojnë dhe paguajnë në kohë detyrimet tatimore. Ky projekt është konceptuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe është realizuar nga kompania vendase (Divitech). Kosto totale e këtij projekti është 13 milion Lekë të financuar nga buxheti i shtetit. Me anë të këtij projekti synohet ofrimi i mundësive për çdo tatimpagues që te kontrollojë situatën e tij tatimore pa qenë nevojshme të paraqitet në sportelet e shërbimit të administratës. Te rritet deklarimi vullnetar nga tatimpaguesit duke përmbushur detyrimet tatimore. Të reduktohen kostot administrative të biznesit.