TIRANE, 25 shkurt 2013– Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe me anë të një komenti në rrjetin social të Facebook ka bërë të ditur dje se ka lexuar gazetat “për të kuptuar më shumë mbi atë që është thënë në Konferencën e PS-së për programin”. Duke analizuar dokumentin e prezantuar të angazhimeve parimore kundër korrupsionit, Braçe ka evidentuar edhe ato ç’ka i cilëson si “tri lapsuese”. Mandej ai shton se për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet nuk është miratuar asnjë dokument kriteresh e parimesh.
Përsëri për korrupsionin! “Do hetojmë Fatos Nanon dhe pasurinë e tij”, – tha Sali Berisha në 2005- ën, por: korrupsioni në Shqipëri u shumëfishua, madje është kthyer në mënyrë jetese! Lexova me vëmendje gazetat e ditës për të kuptuar më shumë mbi atë që është thënë në Konferencën e PS-së për programin. Iu dhashë mundësi për të diskutuar, para apo në konferencë, nuk pati. Por meqë po dëgjoj se ka hapësirë për kritikë e propozime, atëherë po i them dy fjalë më shumë sesa dokumenti i angazhimeve parimore kundër korrupsionit që kam prezantuar 5 herë me radhë në forume të ndryshme në PS. Të thuash sot “do hetojmë Sali Berishën dhe pasurimin e tij e të familjes së tij”, është detyrë, por nuk garanton përmbysjen e kërkuar nga çdo shqiptar, në mënyrën e administrimit të interesave publike, pasurive publike, parave publike, lejeve e licencave etj. Njerëzit duan drejtësi për Berishën. Por duan garanci që do jetojnë e shërbehen ndershëm prej nesh. Thjesht të hetosh Sali Berishën nuk është garanci për cilindo! Duhet shumë më tepër:
SË PARI: Në çlirimin e vendimmarrjes politike e administrative nga interesat private! Po e përsëris, Kuvendi është i kapur sot dhe do të jetë lehtësisht i kapshëm nesër nëse ligji nuk bën zhveshje totale të çdo deputeti nga interesat pasurore dhe të biznesit. Një agjenci shtetërore duhet ta garantojë këtë. Deputeti i zgjedhur, dorëzon tek kjo agjenci çdo interes pasuror dhe të biznesit, agjencia është përgjegjëse që vendimmarrja politike dhe administrative e qeverisë qendrore e vendore të mos jetë në favor të interesave dhe biznesit të deputetit, ministrit, kryeministrit dhe familjarëve të tyre. Kjo do çlirojë edhe tregun e konkurrencën nga bizneset e politikës dhe klientelës së atyre që e sundojnë. Shpresoj shumë se angazhimi për ta kthyer ILDKPnë në agjenci hetimi për pasuritë të ketë qenë lapsus. ILDKPja ose Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, nuk është thjesht zyrë regjistrimi dhe certifikimi të pasurive të politikaneve. “K” si akronim i referohet kontrollit të pasurive dhe me ligj, kompetencat që jep për të kontrolluar janë të gjera. Hetimi është tjetër gjë. Hetimi me Kushtetutë është tjetër gjë dhe vetëm ekskluzivitet i prokurorisë. Nuk dëgjova kund që do të ndërronim Kushtetutën për këtë.
SË DYTI: Në mbikëqyrjen e qeverisë, kryeministrit dhe ministrave, të tjerë zyrtarëve që kanë akses apo përgatisin vendimmarrjen në nivelin më të lartë. Nga gjithë ç’kam parë në 8 vite, në nivel qendror dhe lokal, çdo marrëveshje e paligjshme e vendim favorizues, ngjizet apo lobohet në zyrat e qeverisë, në takime me kryeministrin, ministrat, të tjerë zyrtarë ndikues, familjarë të tyre. Kujtoni videon e famshme dhe listën e hyrjedaljeve në Ministrinë e Mbrojtjes për “Gërdecin”. Publikimi i hyrje-daljeve dhe qëllimit të vizitës apo takimit, në zyrat respektive të Presidentit, të kryeministrit, ministrave dhe zyrtarëve që kanë akses në vendimmarrje çdo 4 muaj, garantuar nga sistem elektronik i mbikëqyrjes dhe nga çdo OJF e angazhuar në luftën ndaj korrupsionit e konfliktit të interesave, duhet të jetë një detyrim i marrë që sot. Shpresoj shumë që angazhimi që dëgjova në darkën e së premtes për publikimin e menjëhershëm të çdo vendimi të qeverisë apo çdo shpenzimi të saj, të ketë qenë lapsus. Të dyja ndodhin sot, edhe publikimi i VKM-ve, pavarësisht selektimit të shpeshtë, edhe publikimi i shpenzimeve të thesarit. Në rastin e VKM-ve duhet larguar publikimi nga vullneti i qeverisë. Një OJF nga ato të angazhuarat për transparencë duhet të ngarkohet ta bëjë këtë apo edhe ta kontrollojë këtë publikim. Pse jo, edhe për shpenzimet.
SË TRETI: Në administrimin e pasurisë publike, pasurive natyrore dhe aseteve publike të ekonomisë kombëtare. Ekonomia publike edhe këtë herë u anashkalua. Flitet vetëm dhe ekskluzivisht për privatizim. Ia thashë edhe ministrit të qeverisë së djathtë, Haxhinasto: Ekonomia publike dhe prona publike shihen të barabarta dhe konkurruese me pronën private në Kushtetutë. Ne të gjithë bashkë, pa asnjë dallim pavarësisht ideologjisë që i përkasim, po e zhdukim pronën publike dhe ekonominë publike, administrimin publik gjithashtu. Me ç’të drejtë? Tani është koha që ne të mendojmë posaçërisht dhe të angazhohemi me seriozitet edhe për ekonominë publike e pronën publike, administrimin publik dhe shërbimin publik si konkurrues me atë privat. Shpresoj shumë që angazhimi për të prishur kontratën e pamiratuar në Kuvend të Lotarisë Kombëtare apo kontratën e pamiratuar në Kuvend të privatizimit të 4 HEC-eve, të ishin vetëm ilustrime. Ndryshe, më lejoni të pyes: Po me koncesionin e Bulqizës, kontrata e të cilit nuk është zbatuar dhe për këtë arsye është e vdekur, ç’do të bëjmë? Po me atë të 4 vendburimeve të naftës në jug, ç’do të bëjmë? Po me ato të mbi 200 HEC-eve që nuk janë zbatuar, ç’do të bëjmë? Etj., etj. S’besoj se emri i përveçëm i tregtarit të ri të Bulqizës të na kufizojë në një qëndrim parimor ndaj kësaj zhvatjeje masive dhe dëmtuese të ekonomisë e pasurisë publike. Kaq kisha këtë herë. Ju si i mendoni? FUSNOTE: Dua të siguroj cilindo, veçanërisht në PS, se nuk kam asnjë interes personal të biznesit apo të karrierës (zënie vendi të dikujt) në këto mendime që dhashë.
LISTA E DEPUTETËVE
Pas kolapsit në inbox, këtu në profil dhe telefon, më duhet që në respekt të shqetësimit të shumë shumë njerëzve dhe në pamundësi për t’ju kthyer një pergjigje nominale, Ju sqaroj: nuk ka asgjë të vërtetë përsa i përket kandidimit tim. Së pari nuk ka asnjë vendim të kryesisë së PS për këtë çështje; Sepse, nuk ka të miratuar asnjë dokument kriteresh e parimesh mbi bazë të të cilit do të përzgjidhen kandidatët për deputetë; Sepse, nuk ka asnjë analizë të punës të secilit prej deputeteve egzistues të grupit parlamentar duke më përfshirë dhe mua; Sepse, nuk ka asnjë konsultim të të deleguarit të Kryesisë, me mua, me ne deputetët në qarkun Berat dhe mbi të gjitha me anëtarësinë e PS në këtë Qark; Sepse, nuk ka asnjë konsultim të të ngarkuarit të Kryesisë në GSO për qarqet e Jugut, me mua, me ne deputetët në Qarkun Berat dhe mbi të gjitha me anëtarësine e PS në këtë Qark. Rrini të qetë! Unë i qendroj parimit që do të vendosni ju, socialistët e thjeshtë që punoni në çdo fushatë në çdo bllok, lagje, fshat, komunë e bashki! Ka tre muaj që unë po degjoj, siç ju, që udhëheqësit e LSI që kanë dalë në fushatë nëpër Berat (vetëm tani janë bërë të gjallë) t’u premtojnë njerëzve se: Erjon Braçe nuk do të kandidojë në Berat. Por unë nuk di që LSI vendos për PS dhe për kandidatët e saj. Jemi larg shumë. Po të ishte ndryshe s’do isha unë në PS.
Nga: ERJON BRACE