GREQI, 23 shkurt 2013 – Departamenti amerikan i Shtetit këshillon Greqinë të mos i shesë kompaninë DEPA “Gazprom”-it rus, sepse përndryshe shteti evropian mund të bëhet peng i Rusisë në çështjet e energjisë, thotë portali grek “capital.gr”. Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit i shprehën rekomandimet e veta gjatë një vizite jozyrtare në Athinë.
Diplomatët amerikanë, shkruan “capital.gr”, u druhen pasojave serioze gjeopolitike nga shitja e koncernit DEPA (inicialet greqisht: “Dimosia Epichirisi Paroxis Aeriou” – shqip: “Korporata Publike e Gazit”) në favor të kompanisë ruse të gazit “Gazprom”.
Gjatë vizitës në Athinë zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit sollën një numër argumentesh të natyrës ekonomike dhe politike para se të shpreheshin negativisht rreth perspektivave të bashkëpunimit me Rusinë.
Uashingtoni mendon se Moska do të bëjë çmos për të ruajtur monopolin e gazit në rajon.
Aktualisht, 90 për qind e nevojave të Greqisë për gaz mbulohen nga furnizimet e gazit rus, dhe në rastin e kalimit të DEPA-s në duart e pronarëve rusë, mendon Departamenti i Shtetit, Rusia do të forcojë pozicionin e saj dominues në të gjithë rajonin e Ballkanit.
“Gazprom”-i është furnizuesi kryesor i gazit për DEPA-n. Furnizimet e “Gazprom”-it në Greqi në vitin 2011 arritën 2.9 miliardë metra kub gaz. Përveç “Gazprom”-it Greqinë e furnizojnë me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm kompania shtetërore azerbajxhanase SOCAR dhe ajo algjeriane “Sonatrach”.
“Gazprom eksport” zotëron gjithashtu 50 për qind të ndërmarrjes së përbashkët “Copelouzos – Prometheus gas”, që merret me ndërtim objektesh energjetike, përfshirë edhe gazsjellës vendorë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/