TIRANE, 23 shkurt 2013– Kryeministri Sali Berisha priti në një takim Drejtoreshën e re të Bankës Botërore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, znj. Ellen Goldstein, e cila shoqërohej nga Drejtoresha e Bankës Botërore në Shqipëri znj. Kseniya Lvovsky.
Gjatë takimit, zonja Goldstein i shprehu Kryeministrit Berisha kënaqësinë e madhe që vizitonte Shqipërinë dhe për faktin se kishte konstatuar ndryshime të mëdha dhe shumë të dukshme impresionuese, ekonomike dhe shoqërore.
“Ndihem krenare që shoh gjithashtu që partneriteti i qeverisë shqiptare me Bankën Botërore është mishëruar në kaq shumë projekte të dukshme infrastrukture, konsulence dhe asistence”, u shpreh znj. Goldstein.
Nga ana e tij, duke i shprehur kënaqësinë e kësaj vizite, Kryeministri Berisha e uroi zonjën Goldstein për detyrën e re. Ai vlerësoi se dialogu me Bankën Botërore ka qenë, është dhe do të jetë i vazhdueshëm, bazuar në marrëdhënie të hapura, në vullnet të mirë dhe besim. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i prezantoi zonjës Goldstein paketën e reformave të ndërmarra nga qeveria për të ndihmuar rritjen ekonomike dhe zhvillimin e shpejtë të vendit.
Kryeministri Berisha shprehu besimin se, së shpejti, dy projektet madhore, ai i kaskadës së Devollit, të kompanive Statkraft dhe EVN dhe realizimi i projektit TAP, do të kontribuojnë në rritjen e punësimit dhe në mbështetjen e rritjes ekonomike.
Drejtoresha e Bankës Botërore, zonja Ellen Goldstein, e përgëzoi Kryeministrin Berisha për mënyrën e qeverisjes dhe reformat e implementuara, reforma, të cilat e bënë Shqipërinë të mos bjerë në recesion dhe të mbajë rritje ekonomike edhe në kushtet e krizës së rëndë mbarë botërore.
“Ekonomia shqiptare ecën më shpejt dhe më mirë se ekonomitë e tjera, por ajo nuk mund t’i shpëtojë efekteve të kësaj krize të gjatë, ndaj, në këtë kuadër, kujdesi për ekuilibrat makro ekonomik, është gjithmonë i domosdoshëm”, vijoi znj. Goldstein.
Gjithashtu, znj. Ellen Goldstein i tha Kryeministrit Berisha që Banka Botërore do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe financojë projekte që konsiderohen prioritare për qeverinë shqiptare dhe ekonominë reale, duke pasur prioritet sektorin e energjisë, si dhe sektorë të tjerë, për të cilët do të vendoset pas diskutimeve të përbashkëta.