TIRANE, 23 shkurt 2013– PDIU reagon për depozitimin e koordinatave të njëanshme të kufirit të saj detar në OKB nga ana e qeverisë greke. PDIU në një reagim për mediat kërkon ministrisë së jashtme që të bëjë gjithë hapat e duhur diplomatike kundrejt Greqisë, duke filluar nga kërkesa për sqarim.
PDIU sugjeron që të zhvillohen konsultime me gjithë vendet e interesuara, përfshi SHBA-të që të arrihet në një qëndrim të përbashkët, në favor të paqes, stabilitetit të rajonit, marrëdhënieve të mira në rajon, në frymën e reciprocitetit.
"Siç është bërë e ditur nga mediat greke, qeveria e vendit fqinj, bëri atë që kishte paralajmëruar ministri i saj i jashtëm : depozitimin e koordinatave të njëanshme të kufirit të saj detar, respektivisht zonave ekskluzive ekonomike. Ky veprim njëkohësisht me të dhënat inkurajuese të kërkimit detar për naftë, dhe vendosmërinë greke për t’ju përmbajtur marrëveshjes së kufijve detarë me Shqipërinë tashmë të pavlefshme sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është një veprim provokativ. Me anë të tij, Greqia nuk ju përmbajt rekomandimit amerikan të përsëritur dhe nga ndihmëssekretari i shtetit Philip Gordon, disa ditë më parë, për të treguar maturi, dhe për « të mos ecur në një veprim që nuk do të ishte në interes të Greqisë.". Qeveria amerikane i rekomandoi Greqisë që të promovojë marrëveshjet dypalëshe me të gjithë fqinjët e saj », thuhet ndër të tjera në deklaratën e PDIU.