TIRANE, 23 shkurt 2013– Premtimi i kreut të Bashkisë Lulzim Basha, që qytetarët e Tiranës nuk do të mbeten peng i askujt, po shndërrohet çdo ditë në realitet. Këtij premtimi i shërben dhe akti normativ i miratuar nga qeveria shqiptare, më 6 shkurt dhe që i hap rrugë procesit të hipotekimit të apartamenteve për rreth 50 mijë qytetarë të Tiranës. Këta qytetarë kishin mbetur prej vitesh peng i shkeljes së lejeve të ndërtimit nga subjektet ndërtuese. Ndonëse kanë paguar kursimet e jetës për të pasur një shtëpi, ata as sot nuk kishin hipotekën e pronës së tyre. Kryebashkiaku Basha i ka propozuar Këshillit Bashkiak që mblidhet me 28 shkurt, miratimin e listës prej 260 objektesh që do të pajisen me leje përdorimi. Zv/Kryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku tha se kjo listë është një hap më tej drejt hipotekimit të objekteve të mbetura peng prej vitesh në Tiranë.
“Më 28 shkurt, Bashkia e Tiranës do i propozojë Këshillit Bashkiak miratimin e listës së strukturave që pajisen me leje përdorimi, sipas aktit normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave, më datë 6 shkurt. Miratimi i kësaj liste nga Këshilli Bashkiak i hap rrugën hipotekimit të 260 objekteve mbi 3 kate, me një sipërfaqe totale rreth 930 000 m2 dhe rreth 11 000 apartamente. Miratimi i kësaj liste me rreth 11 mijë apartamente i shtohet 5893 apartamenteve, që Bashkia e Tiranës ka dërguar për hipotekim gjatë vitit të shkuar, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Ashtu siç ka premtuar Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale, Bashkia po vazhdon me intensitet plotësimin e detyrimeve të saj, për hipotekimin e objekteve të cilat po mbahen peng prej vitesh.
Në muajin janar i janë dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive edhe 12 objekte, me 520 apartamente banimi. Dua dhe një herë t’u bëj thirrje 13 subjekteve në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës, të plotësojnë detyrimet e tyre përballë qytetarëve të Tiranës, në mënyrë që t’i hapin rrugë hipotekimit të apartamenteve të tyre” – u shpreh znj. Tabaku.
Administrata e re e Bashkisë së Tiranës ka dëshmuar gjatë 18 muajve me vepra dhe jo me fjalë se Bashkia mund të bëjë shumëçka kur ka vullnet në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Kryebashkiaku Lulzim Basha propozon sërish ulje taksash për biznesin e vogël.
“Më 28 shkurt, Bashkia e Tiranës i propozon Këshillit Bashkiak uljen në masën 30% të taksës së biznesit të vogël, për 523 subjekte të biznesit të vogël që kryejnë aktivitetet e prodhimit apo shitjes me pakicë në fushën e punimeve të artizanatit në qytetin e Tiranës. Këtu përfshihen biznese në fushën e punimit të drurit, argjendarisë, artizanatit, punimeve të hekurit, rrobaqepësisë, qëndistarisë etj.
Ky vendim pason uljen dhe reduktimin e 60 taksave dhe tarifave vendore, uljen me 30% të taksave për luleshitësit dhe librashitësit, heqjen për një vit të taksave, për 30 tregtarë të Tregut Ushqimor në Kombinat, që u dogj pak më shumë se një vit më parë, heqjen e taksave vendore për një periudhë kohore 5 vjeçare, për të gjithë ndërmarrjet që punësojnë rishtazi mbi 50 punonjës, në zyrat e regjistrimit të Bashkisë së Tiranës.
Administrata e re e Bashkisë ka dëshmuar në këto 18 muaj se ka në dorë të ulë taksat dhe mund të bëjë shumëçka, kur ka vullnet për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës” – theksoi zv/Kryetarja Tabaku.
Një tjetër projekt-vendim i rëndësishëm që i propozohet për miratim Këshillit Bashkiak të Tiranës është dhe lista e inventarit të pronave të paluajtshme, të cilat janë nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës. Kjo listë, rezultat i një pune 18 mujore përmban 6999 prona të paluajtshme të regjistruara për herë të parë, ndërkohë që nga viti 2002 e deri më sot, Bashkia e Tiranës ka të regjistruara në inventarin e saj vetëm 6725. Lista që pritet të miratohet në Këshillin Bashkiak e më pas në Këshillin e Ministrave e çon në 13 724 numrin total të pronave në inventarin e Bashkisë së Tiranës.