SAVONA, 22 shkurt 2013 – Shqipëria, tokë e panjohur. Por jo për 400 sipërmarrësit italianë që janë tashmë prezentë në Shqipëri, të favorizuar edhe nga afërsia gjeografike dhe kulturore si dhe nga politikat e favorshme për investimet e huaja. Në provincën italiane të Savonës jetojnë 6300 shqiptarë, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh jo italisht folës.
Të dhënat ekonomike janë edhe më domethënëse. Sipërmarrësit shqiptarë janë mbi 1000 (në regjistrin e sipërmarrjeve figurojnë 1.074), ndërkohë që janë 956 (5.1% e totalit) sipërmarrjet individuale që kanë si drejtues një shtetas shqiptar. Pjesa më e madhe e sipërmarrjeve janë të përqendruara në sektorin e ndërtimit kur zënë 39% të totalit të përgjithshëm të kompanive që operojnë në këtë fushë në provincën e Savonës (303 në një total prej 777).
Shqipëria e panjohur për savonezët, Savona shumë e njohur për shqiptarët. Ishte kjo tema kryesore e takimit të organizuar pasditen e sotme nga Dhoma e Tregtisë e Savonës, dedikuar mundësive të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë, veçanërisht e fokusuar në aktivitetet që mund të përfshijnë provincën e Savonës.
“Zhvillimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, i favorizuar nga prezenca e emigrantëve shqiptarë në Itali, mund të lehtësojë futjen e sipërmarrjeve italiane në tregun shqiptar, sidomos në sektorët ku provinca e Savonës ka njohuritë dhe eksperiencën e nevojshme, si p.sh. agrikultura e specializuar, turizmi, energjitika dhe green economy. Dikush e ka përkufizuar Shqipërinë një Kinë të vogël. Me realizimin e reformave do të njihet si vend kandidat për në BE, gjë që rrit kushtet për favorizimin e mëtejshëm të investimeve”,- tha në takim presidenti i Dhomës së Tregtisë së Savonës, Luciano Pascuale.
Delegacioni shqiptar në këtë konferencë kryesohej nga konsulli i nderit i Shqipërisë në Liguria, Giuseppe Durazzo, që së bashku me drejtorin e Konfindustrisë shqiptare Agim Bufi, shkrimtaren Diana Ciuli, presidente të Forumit të Grave Shqiptare dhe analisten e merkatos pranë ICE në Tiranë, Manjola Mumajesi prezantuan para sipërmarrësve italianë mundësitë që ofron vendi ynë për investimet e huaja, sidomos ato italiane që përbëjnë pjesën kryesore të sipërmarrjeve me kapital të huaj në Shqipëri.
Konferenca e mbajtur në Savona zhvillohet në të njëjtën kohë, kur në Durrës u mbajt një konferencë e ngjashme “Bashkëpunimi ekonomik Italo-Shqiptar në qarkun e Durrësit” e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, e ku merrnin pjesë shumë sipërmarrës italianë dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë të provincave të vendit fqinjë.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/