TIRANE, 22 shkurt 2013– Kur pranë imazhit të një llulle, piktori surrealist René Magritte shkruante “Ceci n’est pas une pipe” (Kjo nuk është një llullë), vizitori nuk mund të mos pushtohet nga shqetësimi për të kuptuar se nëse nuk është një llullë, atëherë çfarë duhet të jetë. Kjo ndjesi duhet të jetë edhe më e madhe ndoshta përpara një pikture abstrakte. Ky lloj shqetësimi, ai komunikimi përfshirës i veprës me publikun është pikërisht “qëllimi” i pikturës së Genti Korinit. Dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve, ai hapi ekspozitën “Struktura kalimtare”. “Mos e pyesni piktorin se çfarë ka dashur të thotë, sepse pas penelatave nuk ka ndonjë simbolikë të fshehtë”, thotë drejtori Rubens Shima, e në ndrojtjen për të mos e pyetur piktorin mbi veprën e tij, kushdo vriste mendjen: Thua të jetë…?! E këtë “torturë” Korini e bën me qëllim. Asnjëra prej tablove nuk ka titull. Të gjitha janë “Abstrakte”. Ajo çka është “e sigurt”, ndjesia e mirë që të krijon ekspozita dhe komunikimi i vazhdueshëm i veprës, herë në ngjyrat e tokës, herë të qiellit. “Në një kohë kur arti tenton të jetë i angazhuar e të flasë përmes mediumesh të tjera, unë tentoj të krijoj gjuhën time. E ndoshta është momenti që edhe tek ne të ngrihet pyetja se cili është roli i pikturës sot”, thotë Korini. I pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite ishte edhe Kryeministri Sali Berisha.
Ndoshta është naive ta pyesësh një krijues se përse e ka krijuar një aksh vepër, megjithatë na rastin tuaj, kalimi nga një stad në një tjetër e ka një shtysë. Si nisi ky proces kërkimi drejt pikturës abstrakte?
Për t’u kthyer pas në kohë dhe për të kuptuar gjenezën e këtij projekti, them se çka e ngjizi është një marrëdhënie e munguar që unë kisha me pikturën, në sensin e intimes, të eksplorimit. Kjo çoi në zgjedhjen e çlirimit total nga imazhi, për të më dhënë lirinë maksimale për të eksploruar në limitet që ka piktura sot brenda gjuhës së artit bashkëkohor dhe them se kam bërë një zgjedhje të mirë, sepse kjo lloj platforme të jep mundësi të pafundme, shumë interesante dhe shumë kurioze. Po të vihet re, në ekspozitë ka dinamika të ndryshme që flasin brenda së njëjtës gjuhë. Ka piktura që anojnë nga një lloj strukturalizmi, një lloj gjeometrizmi më të ashpër dhe të tjera më lirike. Të gjitha këto i marr dhe i miksoj. Si të marrësh një këngë të vjetër e ta bësh nga e para. Por, më e rëndësishmja është ajo pyetja se çfarë vendi ka piktura sot në botën e imazhit, të medias, fotografisë, filmit. A ka piktura një rol sot? Pasi duhet thënë se nuk është njëlloj si 200 vjet më parë, kur ishte e vetja që realizonte një portret, një mollë… Sot nuk ka nevojë më që këto t’i bëjë piktura. Këto probleme kanë nisur të diskutohen qysh 100 vjet më parë me modernizmin, por besoj se edhe në Shqipëri duhet të hapet ky lloj debati mbi gjuhën e pikturës.
Mos qofsha e gabuar, por në ngjyra e forma, punët tuaja janë shumë tokësore, është ndoshta thjesht një ndjesi?
Nëse do ta pranoja këtë si vëzhgim do të thosha se janë sa tokësore, aq edhe ajrore. Më pëlqejnë të kundërtat, më pëlqejnë ato caqet ku ti nuk e kupton nëse është një moment ndërtimi ose shkatërrimi, janë ca momente që të lënë pa konkluzion, si një film pa finale…
Pa dashur që të gjejmë pse-të, a mund të themi se është edhe një trysni e jashtme, ai kaosi apo pasiguria e së përditshmes që ndikon tek ju?
Absolutisht. Edhe nëse unë do ta përjashtoja këtë gjë, ajo është brenda nesh, në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, sepse e përditshmja është aty, është shumë e ndikueshme dhe ky lloj kaosi që ne po jetojmë, dashur padashur, futet edhe në pikturat e mia. Lufta mes kaosit dhe rregullit ndodh edhe këtu. Nëse publikun e orienton pak në këtë linjë, duke e shkëputur nga figuracioni, mund të krijohet një marrëdhënie shumë interesante, një lloj komunikimi që nuk ta ofron as fotografia dhe as kinemaja. Dhe ideja kjo është, që kur të futesh në ekspozitë të kesh një ndjesi të re, që nuk e ke provuar më parë. Kjo ka nevojë vetëm për shembjen e atij muri fillestar.
Nëse vepra komunikon, kjo do të thotë që ka një të ardhme, apo jo?
Ideja e së ardhmes është interesante. Nuk e di. Por, ky është një projekt i qëndrueshëm, që më ka marrë kohë dhe mendoj se shenjat e tij do të më shoqërojnë në krijimtarinë time edhe për shumë kohë. Nuk mund të them se kjo është mënyra se si unë do të pikturoj 30 vitet e ardhshme, por mendoj se shenjat e saj do të jenë evidentë.
Ju jeni ndër të paktët artistë, të brezit tuaj, që i mbeteni besnik telajos dhe penelit dhe nuk jeni hedhur në mediume të tjera si videoinstalacioni, fotografia etj.
Ky është një debat tjetër që lidhet me mënyrën se si është futur arti bashkëkohor në Shqipëri dhe se në çfarë modalitetesh, mendësie e fryme po zhvillohet. Arti bashkëkohor tek ne ka një natyrë të vetën, ka nisur diku aty në vitet 2000 dhe përveç mendësisë, u futën në të njëjtën kohë edhe mediumet e reja dhe artistët ishin përballë një të panjohure të madhe, që u kthye në një “modus operandi”, një mënyre pune e detyrueshme, për të qenë artist i ri dhe bashkëkohor. Unë tentoj të bëj të kundërtën. A ka mundësi që një artist të jetë edhe me veten e vet në studio dhe të bëjë një punë të “vjetër” që është bërë këtu e 2 mijë vjet, me bojëra dhe penela dhe të ketë sërish frekunecë në këtë botën e artit bashkëkohor? Kjo është pyetje, nuk di nëse ia kam dalë, por nëse ngre pyetjen e duhur, ke bërë gjysmën e punës. Dhe këto piktura këtë bëjnë. Në një kohë kur arti tenton të jetë më social, më i angazhuar politikisht, me realitetin dhe flet me gjuhë si video, instilacion, fotografi… unë doja t’i shkëputesha kësaj klisheje për të gjetur një gjuhë personale.
Marrë nga Panorama
ALMA MILE