VJENE, 22 shkurt 2013– Në Vjenë u mbajt takimi dimëror i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Në këtë takim, Kryetarja e Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (AP), znj. Mesila Doda, mbajti një fjalim, në të cilin vlerësoi maksimalisht kontributin dhe përvojën e AP-së në fushën e vëzhgimit të zgjedhjeve. Ajo shprehu bindjen, se përvoja politike e parlamentarëve si dhe deklarimet dhe rekomandimet e tyre objektive përbëjnë kontribut të pazëvendësueshëm për proceset e vëzhgimeve të zgjedhjeve.
Znj. Doda gjithashtu vuri në dukje, se Shqipëria mban marrëdhënie të ngushta me AP-në e OSBE-së, siç tregoi edhe organizimi i takimit të vjeshtës të Asamblesë në Tiranë, tetorin e kaluar. Shprehje e këtij bashkëpunimi janë edhe misionet vëzhguese të AP-së në 15 vitet e fundit. Në këtë kuadër, znj. Doda u bëri thirrje kolegëve parlamentarë të marrin pjesë në misionin vëzhgues të AP-së së OSBE-së, i cili planifikohet të vijë në Shqipëri në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Ajo theksoi rëndësinë që ka kjo mbikqyrje në aspektin politik. Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri përbëjnë edhe një mundësi për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet delegacioneve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe të ODIHR-it, u shpreh ajo.
Në emër të delegacionit shqiptar znj. Doda nënvizoi, se Shqipëria është e zotuar plotësisht për të mbajtur zgjedhje të lira, të drejta e transparente në përputhje me parimet e OSBE-së, standardet evropiane dhe legjislacionin shqiptar.
Znj Doda gjithashtu i shprehu vlerësimin maksimal Presidentit të AP-së, z. Riccardo Migliori, për kontributin e tij në mbrojtje të rolit që luajnë parlamentarët në proceset zgjedhore. Ajo e quajti këtë rol si primar, sepse mandati i tyre mbikqyrës rrjedh nga vota e lirë e qytatarit.
Në kuadër të qëndrimit të delegacionit shqiptar në Vjenë, znj. Doda paraqiti pozicionet e delegacionit shqiptar në takime të veçanta me Presidentin Migliori si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, z. Lamberto Zannier.