TIRANE, 22 shkurt 2013– “Gjermania do të jetë në anën tuaj sidomos gjatë udhëtimit tuaj europian. Për ne nuk është një çështje kombëtare apo ekonomike, por një qëndrim politik dhe strategjik që të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Europian”. Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle në një takim me presidentin e Republikës Bujar Nishani.
Ministri i Jashtëm Westerwelle veçoi se kriteret janë kërkesa objektive duke vlerësuar për momentin si shumë të rëndësishme përgjegjësinë e faktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe realizimin e kritereve të Komisionit Europian.
Kryediplomati gjerman shprehu vlerësime shumë pozitive për rolin e Shqipërisë në rajon dhe shtoi se mbetet i bindur se Shqipëria do të vazhdojë ta luajë këtë rol edhe në të ardhmen.
Në vijim të shkëmbimit të mirëseardhjes, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen ndaj popullit gjerman dhe qeverive të tij për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në fushën ekonomike, për anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj dhe për mbështetjen e vazhdueshme në udhëtimin europian. Integrimi Europian mbetet objektivi prioritar dhe Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj për arritjen e standardeve të kërkuara me qëllim që jo vetëm të jetë një kontributore në Bashkimin Europian, por që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga këto standarde.
Kreu i Shtetit nënvizoi faktin se Shqipëria ka kapacitete dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sfida e vetme mbetet kultura politike e aktorëve dhe shprehu bindjen se klasa politike shqiptare do ta kalojë këtë sprovë me sukses.
Presidenti Nishani e siguroi ministrin Westerwelle se “Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj si kontribuese thelbësore e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon duke forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe duke inkurajuar shqiptarët që të mbështesin zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik në vendet ku ata jetojnë. E gjitha kjo bazohet në një traditë sipas të cilës shqiptarët u kanë ofruar fqinjëve miqësi dhe paqe”.
Presidenti Nishani dhe Ministri Westerwelle shprehën bindjen se Shqipëria dhe Gjermania mbeten partnerë seriozë në bashkëpunimin dypalësh, shumëpalësh dhe në procesin e integrimit europian.