TIRANE, 22 shkurt 2013– Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit do të jenë më të kushtueshmet për buxhetin e shtetit në krahasim me ato të zhvilluara deri tani. Kjo për shkak të përdorimit të teknologjisë së numërimit, asaj të verifikimit, si dhe rritjes së numrit të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor(KZAZ), nga 66 në 89.
KQZ pritet të mblidhet mesditën e sotme për të marrë në shqyrtim strukturën e shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet për Kuvendin 2013. Sipas përllogaritjeve të administratës zgjedhore, vetëm për shpenzimet administrative që përfshijnë shpërblimin e personelit shtesë dhe pagat e anëtarëve të komisioneve të votimit e deri te pajisjet për sistemin e kamerave, do të duhen në total rreth 727. 254. 886 milion lekë.
Në tabelën shoqëruese të p/vendimit detajohen të gjithë zërat e shpenzimeve të nevojshme për zgjedhjet e reja, ku zëri më i kushtueshëm është ai për shpërblimin e anëtarëve të komisioneve zonale, KQV-ve dhe anëtarëve të grupeve të numërimit, të cilët janë parashikuar të marrin në total mbi 218 milion lekë.
Ndërkohë, që për procesin e transmetimit të numërimit të votave do të duhen 118 milionë lekë. Ky proces është i njëjtë me atë që KQZ-ja ka aplikuar në zgjedhjet e 2009-s dhe 2011-s, por kostoja shtesë lidhet me shtimin e KZAZ-ve, të cilat nga 66 që ishin në zgjedhjet e 2009-s kanë shkuar në 89.