TIRANE, 21 shkurt 2013 – Kreu i PS-së, Edi Rama ka reaguar për vendimin e gjykatës së Apelit që shpalli të pafajshëm specialistin e IT-së së Kryeministrisë, vënë në akuzë për fshirjen e pamjeve të 21 janarit.

Në profilin e tij në Twitter, Rama e ka cilësuar këtë një tjetër pafajësi të fabrikuar nga gjykatat e pushtetit.

“Sot një tjetër pafajësi e fabrikuar nga gjykatat e pushtetit për 21 janarin! Dita për të rinënvizuar: Gjykimi i atij krimi s’ka nisur ende!”- shkruan Rama.

Gjykata e Apelit shpalli sot të pafajshëm specialistin e IT-së së Kryeministrisë dhe hodhi poshtë akuzat ndaj tij për fshirjen e pamjeve të 21 janarit të vitit 2011 nga serveri qendror i Keshillit të Ministrave.

Sipas trupi gjykues Armando Kasaj nuk i kishte fshirë, pamjet ashtu sikurse pretendonte organi i akuzës, duke e shpallur atë të pafajshëm. Prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet burg për specialistin e IT-së së Kryeministrisë për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe për shpërdorim detyre.