DURRES, 21 shkurt 2013– Bashkëpunimi i suksesshëm ekonomik mes dy vendeve dhe prezantimi i avantazheve që ofron investimi në Durrës dhe në Shqipëri për investitorët italianë ishte tematika kryesore e konferencës “Bashkëpunimi ekonomik Italo-Shqiptar në qarkun e Durrësit”.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Andrea Xhavara, i cili hapi punimet e kësaj konference, vuri theksin gjatë fjalës së tij në “rëndësinë që kanë për qarkun e Durrësit investimet italiane, të cilat përbëjnë 67% të totalit të investimeve të huaja në qarkun e Durrësit. Nga 342 ndërmarrje me kapitale të huaja në qarkun tonë, 230 janë me kapital italian”. Ndërsa përmendi një sërë kompanish italiane që kanë investuar në qarkun e Durrësit si dhe ndërmarrje të përbashkëta me kapital shqiptar dhe të huaj, Xhavara i kushtoi rëndësi edhe prezantimit të shifrave të të punësuarve në këto ndërmarrje dhe kompani.
Nga ana tjetër, megjithëse vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me partnerët italianë, kreu i dhomës së tregtisë në Durrës nënvizoi faktin se ka ende punë për të bërë për të shtuar edhe më tepër prezencën italiane në ekonominë durrsake dhe atë shqiptare. Rinovimi i teknologjisë është sipas Xhavarës një nga pikat kryesore ku duhet të përqendrohet vëmendja e investitorëve të vendit fqinjë, sepse kjo sipas tij “do të rriste konkurueshmërinë dhe do të ulte koston e punës për investitorët shqiptarë dhe ata italianë”. Në të njëjtën kohë Xhavara deklaroi se “promovimi i përparësive që ofron ekonomia shqiptare për tregun italian do të sillte për pasojë më tepër investime, çka do të përkthehej më shumë vende pune dhe bashkëpunime më frytdhënës për të dyja palët. Nga ana tjetër rritja e shkëmbimeve ekonomike ndërmjet bizneseve italiane dhe shqiptare është me përfitime për të dy palët, pasi jep një kontribut të rëndësishëm për kapërcimin e vështirësive financiaro-ekonomike të kohëve të sotme”.
–Investimet italiane përbëjnë 67% të totalit të investimeve të huaja në qarkun e Durrësit. Nga 342 ndërmarrje me kapitale të huaja, 230 janë me kapital italian
-35% të volumit të shkëmbimeve tregtare dhe 50% të eksporteve janë me Italinë, që nënkupton një xhiro prej rreth 2 miliard euro në vit
–Ambasadori italian Gaiani theksoi se çështjet e pronësisë ende nuk janë zgjidhur, ndërkohë u rekomandoi biznesmenët italianë që të gjejnë partnerë të besueshëm për investimin që do të realizojnë
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe ambasadori italian në vendin tonë Massimo Gaiani, i cili gjatë fjalës së tij theksoi faktin se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona duhet të përqendrohet në dy pika kryesore; 1) njohjen reciproke mes dy vendeve dhe 2) avantazhet që ofron Shqipëria për investitorët italianë.
Gaiani nënvizoi para sipërmarrësve të vendit të tij të pranishëm në konferencë faktin se lidhjet me qytetin e Durrësit kanë qenë mjaft të hershme, që në antikitet, dhe sot e kësaj dite qyteti bregdetar vazhdon të jetë një nyje e rëndësishme e transportit që realizohet me vendet e Ballkanit. “35% e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë janë me Italinë, 70% e trafikut ajror ndërkombëtar nga aeroporti i Rinasit është me qytetet italiane, ndërkohë që lidhjet detare janë mjaft funksionale. Të punosh në Tiranë është si të punosh në një qytet italian”,- tha Gaiani dhe për këtë ai ftoi sipërmarrësit e të dy vendeve që të intensifikojnë kontaktet dhe të shkëmbejnë eksperiencat, pasi kjo është në favor të të dy palëve.
Ndërsa aprovoi rekomandimet që kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës dha për sipërmarrësit italianë, Gaiani theksoi se investitorët e vendit të tij duhet të kenë kujdes kur investojnë, pasi çështja e pronësisë ende nuk është zgjidhur. Ndërkohë ai u rekomandoi biznesmenëve italianë që të gjejnë partnerë të besueshëm për investimin që do të realizojnë, sepse vetëm kështu do të mund të garantojnë një biznes të sigurt.
I pranishëm në konferencë ishte edhe zv/ministri i financave Alfred Rushaj i cili parashtroi para sipërmarrësve italianë, disa nga avantazhet që ka krijuar qeveria shqiptare për sipërmarrësit e huaj që vijnë të investojnë në Shqipëri. Rushaj përmendi ndër të tjera taksën e sheshtë, investimet në infrastrukturë, përgjysmimin e taksave, heqjen e TVSH-së për makineritë për disa sektorë të ekonomisë si dhe nismat ligjore që po ndërmerr ekzekutivi për heqjen e TVSH-së për imputet bujqësore dhe përjashtimin nga taksat për tre vjet për çdo të ri të punësuar në sektorin privat.
Nga ana tjetër Rushaj nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë është i një rëndësie të veçantë, pasi 35% të volumit të shkëmbimeve tregtare dhe 50% të eksporteve janë me Italinë, që nënkupton një xhiro prej rreth 2 miliard euro në vit.
Rushaj i ftoi biznesmenët italianë të pranishëm në takim të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, pasi klima e biznesit është mjaft e favorshme edhe për faktin se vendi ynë është prekur pak nga kriza ekonomike botërore, gjë që dokumentohet në shifrat e rritjes ekonomike.
Në konferencën e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës në bashkëpunim me Promozione Veneto dhe Agjencinë shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA) merrnin pjesë rreth 25 sipërmarrës italianë dhe 50 sipërmarrës durrsakë, të cilët gjatë konferencës dy ditore do të organizojnë rreth 160 takime biznesi dhe vizita pranë ndërmarrjeve shqiptare.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/