TIRANE, 20 shkurt 2013- Industria e fasonit në Shqipëri duhet të kalojë në disa transformime sasiore dhe cilësore, me qëllim mbylljen e ciklit të prodhimit në vend. Gjatë takimit me përfaqësues të Dhomës së Fasonëve, zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto tha se prodhimi i lëndëve të para në Shqipëri është me shumë rëndësi. Ai theksoi se me iniciativa të reja të ketë përqasje të integruar, organike për të gjithë procesin e prodhimit, duke filluar mundësisht që nga prodhimi i lëndëve të para. “Besoj që tashmë, duhet të ketë iniciativë dhe angazhim nga sipërmarrjet shqiptare, që të plotësojnë me prodhim vendas ato segmente të prodhimit fason, që tashmë nuk prodhohen në Shqipëri.
E kam fjalën për të gjithë lëndët e para, aksesorët të cilët kanë të domosdoshëm përmbylljen e ciklit të prodhimit, gjë që mes të tjerave, garanton më shumë punësim”, vijoi ministri Haxhinasto, duke shtuar se kjo ndërmarrje është impenjative dhe sfidë e madhe. Ai shprehu gjithashtu bindjen se ekziston vizioni, kapaciteti dhe mundësia që kjo të realizohet në Shqipëri. Ministri kujtoi se heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet apo heqja e tatimit mbi të ardhurat deri në 300 mijë lekë të vjetra, kanë ndikuar që përfitimi që ka kjo industri, me mbi 100 mijë të punësuar, të shkojë mbi 150 milionë euro, duke u krijuar mundësi të tjera, që paratë që paguheshin për makineritë të rialokohen në sektorë të tjerë, veçanërisht për përmirësimin teknologjik, për punësimin, për kualifikimin e punonjësve.
Sipas tij, gjithë këto iniciativa duhet të shkojnë në funksion të punësimit. “Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm, ku ne duhet të bashkëpunojmë më intensivisht, është që të gjithë incentivat që aktualisht ekzistojnë, incentivat për kapitalin dhe për punën të grupohen dhe të jenë pjesë e një pakete të vetme për çdo vend pune të krijuar, pasi kështu gjykoj se do të ketë një motivim më të mirë nga ana e komunitetit sipërmarrës, që të gërshetojmë ndihmën që do të jepet, mbështetjen që do të jepet nga ana e shtetit, me planet tuaja strategjike për zhvillim, për zgjerim të prodhimit dhe për arritjen e atyre objektivave që ka kjo industri”, nënvizoi Haxhinasto.
Mbështetja për fasonët
Ministri i Ekonomisë garantoi mbështetjen e institucioneve shtetërore dhe diskutimin e propozimeve për ndryshime ligjore, për të nxitur gjithashtu investimet brenda dhe nga jashtë vendit, në shërbim të rritjes së prodhimit, rritjes së grandeve, krijimit të brandeve, rritjes së punësimit. “Ne jemi të hapur për të dëgjuar iniciativat tuaja, propozime të reja nëse është e nevojshme, me qëllim që prodhimi i të gjithë këtyre elementëve të imputeve të prodhimit të realizohet, pasi kjo jo vetëm që ndikon në uljen e kostos së prodhimit, ndikon drejtpërdrejtë te punësimi, por dhe te krijimi i vlerës në përgjithësi që kjo industri do të sigurojë”, pohoi më tej ai.
Ministri theksoi se trendi i pranisë së investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare është i qëndrueshëm, pavarësisht se situatat nuk kanë qenë më të mirat qoftë në rajon, qoftë në eurozonë. Pra, sipas tij, Shqipëria shihet si një vend atraktiv me mundësi të mëdha për investim dhe për rritje. Ndërsa Kryetari i Dhomës së Fasonistëve, Gjergj Gjika falënderoi ministrin Haxhinasto për bashkëpunimin dhe gadishmërinë e treguar për të diskutuar mbi problemet që has ky sektor. Gjika theksoi gjithashtu rëndësinë dhe lehtësimin që i ka bërë biznesit fason heqja e TVSH për makineritë dhe pajisjet si dhe nisma për heqjen e tatimit të të ardhurave personale mbi pagën 90 mijë lekë dhe më pas 300 mijë lekë të vjetra.