TIRANE, 20 shkurt 2013– Pesë deputetë do të kërkojnë llogari nga shërbimet sekrete të Shqipërisë në lidhje me veprimtarinë e tyre. Sipas një vendimi të marrë nga Komisioni i Ligjeve dhe Sigurisë kombëtare, grupi me pesë deputetë, i kryesuar nga opozita, do të kontrollojë veprimtarinë e Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë Informative Ushtarake, Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar dhe strukturave inteligjente pranë Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Financave.

Drafti që u miratua në Komisionin e Ligjeve dhe Sigurisë Kombëtare, u jep kompetencë këtyre individëve të kontrollojnë aktivitetin dhe shpenzimet e shërbimeve inteligjente shqiptare.

“Ka autoritetin të mbikqyrë këto institucione dhe marrëdhëniet e tyre me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, qeverinë e RSH, ministrat me autoritetet e tjera shtetërore dhe me organizata apo individë. Të kqyret se si shpenzohet buxheti që Kuvendi miraton për këto institucione. Nëse është shpenzuar me kujdes dhe për aktivitetet që është miratuar”, u shpreh  Leonard Demi, deputet i PD-së.

Pesë deputetët do të krijojnë një strukturë të re pranë Komisionit të Sigurisë, “nënkomisionin” me kryesim të opozitës dhe me shumicë anëtarësh nga maxhoranca. Mbledhjet e kësaj strukture do të zhvillohen gjithnjë me dyer të mbyllura dhe përveç 5 deputetëve të pajisur me certifikatë sigurie dhe titullarëve të institucioneve, askush tjetër nuk do të ketë akses.

“Ju e dini shumë mirë që ky projektligj nuk bëhet aktiv për këtë mandat legjislativ, sepse brenda 6 muajsh duhet të plotësohet dhe me akte të tjera nënligjore që të bëhet aktiv. Pra, ky Parlament nuk ka më 6 muaj jetë, po duket se i dhatë karar meqenëse po bëheni gati për në opozitë dhe natyrisht ky projektligj në rastin e mbikqyrjeve më shumë i shërben opozitës se sa maxhorancës”, u shpreh deputeti socialist, Gazmir Bizhga.