DURRES, 20 shkurt 2013 – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, në bashkëpunim me Promozione Veneto dhe Agjensinë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA) organizojnë ditën e enjte konferencën me temë “Bashkëpunimi Ekonomik Italo-Shqiptar në Qarkun Durrës”. Në një njoftim për shtyp, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës bën të ditur se idea e një konference të tillë mori nxitje nga projekti "RI.QUA", me partner lider Veneto Promozione, i cili parashikonte një mision biznesi në Durrës, me takime ndërmjet sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare të sektorit Hotel-Restorant-Katering. 

Në njoftim theksohet se konferenca “Bashkëpunimi Ekonomik Italo-Shqiptar në Qarkun Durrës” synon të vërtetojë sërish hipotezën se rritja e shkëmbimeve ekonomike ndërmjet bizneseve italiane dhe shqiptare është me perfitime për të dy palët, por edhe me një kontribut të ndjeshëm për kapërcimin e vështirësive financiaro-ekonomike të kohëve të sotme.

Në konferencën që do të zhvillohet nesër në orën 10 në hotel “Adriatiku” në Durrës do të marrin pjesë kryeministri Berisha dhe ministra të kabinetit qeveritar, ambasadori Italian në vendin tonë Massimo Gaiani, përfaqësues të dhomave italiane të tregtisë etj. Konferenca do të jetë dy ditore.

Përveç diskutimeve në konferencë për nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit mes dhomave të tregtisë së dy vendeve si dhe investimeve italiane të realizuara në qarkun e Durrësit, ditën e dytë të saj janë parashikuar 160 takime biznesi ndërmjet 25 sipërmarrësve italiane dhe 50 sipërmarrësve shqiptarë, sikundër dhe vizita pranë ndërmarrjeve shqiptare. 

Aktualisht në qarkun e Durrësit operojnë 230 ndërmarrje me kapitale italiane, nga 342 ndërmarrje me kapitale të huaja në total. Investimet italiane zënë kështu 67% të totalit të investimeve të huaja në qarkun e Durrësit duke dhënë kështu një impuls mjaft pozitiv për zhvillimin e ekonomisë durrsake dhe uljen e nivelit të papunësisë. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/