GREQI, 20 shkurt 2013 – Politikani grek, Failos Kranidiotis, njëherësh edhe këshilltar i presidentit Samaras për minoritetin grek në Shqipëri, në një intervistë për portalin “Aftonomi”, i publikuar në gazetën “Shekulli” është shprehur me një gjuhë të ashpër ndaj shqiptarëve nëse ato kërcënojnë ata që ai i quan vorioepiriotë.
I pyetur nëse çështja e Vorio Epirit është territoriale apo lidhet me të drejtat e njeriut Kranidiotis shprehet se “i përfshin të dyja. Nga njëra anë ekziston “Protokolli i Korfuzit” dhe themelimi i autonomisë. Në anën tjetër, kemi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Shqipërinë, të cilat duhet të jenë në proporcion të drejtë me respektimin e të drejtave të minoritetit grek. Por, në rast se shovinistët shqiptarë kërcënojnë sigurinë e Vorio Epirit, detyrat e Republikës së Greqisë do të jenë të qarta”.
Në një kohë kur Tirana zyrtare i ka shtuar tonet nacionaliste dhe partia Aleanca Kuq e Zi ka lëshuar deklarata të forta ndaj “Agimit të artë” në Greqi dhe përfaqësuesve të tij këtu në Shqipëri Kranidiotis kërcënon se nëse Shqipëria do të përkeqësojë marrëdhëniet me Greqinë shteti helen do të bllokojë procesin integrues të vendit tonë në BE.
“Ekspansionistët turq dhe fashistët islamikë, kanë një ndikim tek shovinistët shqiptarë, madje kanë nxitur dëshirën për aventura tek forcat politike shqiptare. Ju ndoshta mendoni se kriza ekonomike në Greqi mund t’i japë atyre një mundësi të mirë për të lobuar. Le ta provojë Berisha dhe ata fashistët e Aleancës Kuqezi. Shqipëria me ne ka një kufi dhe ka jetuar me ndihmat tona. Nga përkeqësimi i marrëdhënieve me Greqinë, për shkak të shovinizmit të tyre qesharak, i vetmi humbës do të jetë vendi i tyre. Do të jetë një humbje e madhe për ta. Unë nuk do të jem i vetmi që do të bllokojë rrugën e tyre evropiane”,- thotë Kranidiotis gjatë intervistës.
(m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah")