SIENA, 19 shkurt 2013– Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, i ftuar në Toskanë, zhvilloi fundjavën e shkuar takime me emigrantët shqiptarë që jetojnë aty, duke shpalosur dhe programin elektoral të FRD-së, njofton gazeta “Shqiptari i Italisë”.
Ish-presidenti i vendit, Topi, gjatë bisedimit me shqiptarët në Luca dhe Siena theksoi se si pjesë e qeverisjes së vendit pas muajit qershor, FRD-ja do të kërkojë ngritjen e një ministrie për emigracionin.
Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Firences, në shenjë respekti dhe vlerësimi, i dha ish-presidentit Bamir Topi, titullin “President Nderi”. FRD-ja pritet që në javët e ardhshme të ndërmarrë një seri takimesh me emigrantë shqiptarë në Evropë dhe t’i ftojë të kontribuojnë në nevojën që ka vendi për rotacion politik.
Një vëmendje e madhe nga përfaqësuesit e FRD-së pritet t’i jepet dhe emigrantëve që jetojnë në Greqi, për shkak të afërsisë së vendeve dhe mundësive të tyre për të qenë më aktivë në politikën e brendshme dhe në proceset zgjedhore.
/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah /