TIRANE, 19 shkurt 2013– Debate mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe deputetit Asllan Dogjani gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së. News 24, raporton se deputeti Dogjani ka akuzuar Ramën se po anashkalon strukturat për emërime ne PS pa u konsultuar me këto struktura. Ai e ka akuzuar se i ka bërë presion anëtareve, madje ka deklaruar se Rama nuk është i pazëvendësueshëm në postin e kreut të partisë.
Debatet mes Ramës dhe Dogjanit kanë lindur lidhur me çështjen e zgjedhjeve në PS, Kukës. Rama ka deklaruar se të drejtën ia ka dhënë grupi i strategjisë së komunikimit dhe është konsultuar me Gramoz Rucin dhe Blendi Klosin për këtë çështje. Mësohet se Rama ka reaguar pas këtyre akuzave duke u shprehur se nuk u ka bërë asnjë lloj presioni anëtarëve socialistë. Pas debateve Rama është larguar nga mbledhja.
Pak kohë më parë, Dogjani i është drejtuar me një letër kreut të PS-së, Rama, për të cilën deklaron se ende nuk ka marrë përgjigje. Në këtë letër, sipas tij, Rama ka anashkaluar çdo bisedë lidhur me zgjedhjet e bllokuara në PS-në e këtij rrethi, ndërsa akuzon Ramën se është përgjegjës për një situatë të tensionuar për shkak të këtij bllokimi.
Dogjani tregon për punën e tij në ngritjen e strukturave socialiste inekzistente në këtë qark, ndërsa shprehet se me socialistët në këtë qark ka një kontratë që do ta mbajë deri në fund, pa dëmtuar Partinë Socialiste.
Struktura e PS-së në rrethin e Kukësit është përfshirë në debate të ashpra prej disa ditësh. Vetë deputeti i Kukësit Asllan Dogjani i mbështetur nga mbi 250 anëtarë të bazës kanë kërkuar që të anulohet një vendim i kreut të PS, Edi Rama i cili ka shkaktuar kreun aktual të PS, Ylber Durakun dhe ka emëruar ish-kryetarin e mëparshëm Skëndër Ahmeti. Një gjë e tille, siç tha Dogjani, bie ndesh me demokracinë e brendshme të partisë, me statutin e saj dhe përbën një shkelje.