TIRANE, 19 shkurt 2013- "Teknologjia e informacionit dhe komunikimit luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e gjithanshëm të vendit, por në radhë të parë në zhvillimin ekonomik", deklaroi sot Kryeministri Berisha i pranishëm në aktivitetin e organizuar nga ProTIK, qendra burimore për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit.
Duke folur në aktivitetin ‘ProTIK: Një shembull i suksesshëm i partneritetit publik privat’, Berisha tha se, "Shqipëria është sot në disa aspekte vend pionier i procedurave dixhitale në botë".
Ai tha se në vitin 2005 shkalla e përdorimit të internetit ishte ndër më të ulëtat në botë, por nevojat ishin të jashtëzakonshme dhe sot, kjo shkallë është ndër nivelet më të larta në botë.
"Falë ndihmës së USAID-it Shqipëria u bë vendi i parë për prokurimet elektronike dhe e dyta në botë për gatishmërinë e rrjetit. Kam bindjen më të thellë se ky start i fuqishëm në këtë qendër dhe një kompleks tjetër masash do të bëjë që Shqipëria, vitet që vijnë, të ngjitet në krye të inovacionit në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin në tërësi. Shqipëria e informacionit do të jetë Shqipëria e dijes", tha Berisha.
Sipas tij, mosha dixhitale ishte mosha jetike për të shkëputur Shqipërinë me shpejtësi të madhe nga një prapambetje e pamerituar.
Duke vlerësuar edhe arritjet që ka bërë vendi ynë drejt projektit “Shqipëria dixhitale”, Kryeministri theksoi se, “pas kaq vitesh, Shqipëria është krejtësisht tjetër, ku përdorimi i internetit kap shifrën 60 për qind. Shqipëria u bë vendi i parë me prokurime 100% elektronike. Tirana u rendit në 20 qytetet më të zgjuara. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha por asnjë fushë, asnjë sektor nuk ka dinamikën e ICT, (Information and Communications Technology). Objektivi ynë është Shqipëria një superfuqi rajonale e ICT, objektiv ambicioz por tërësisht i mundshëm. Shqipëria e informacionit do të jetë Shqipëria e dijes. Shqipëria do shkojë drejt destinacionit të saj, superfuqi e hi-tech në rajon", tha Berisha.
Gjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se së shpejti do të finalizohet edhe projekti “Tirana ICT Park”, ku sipas tij, sipërmarrësit do të kenë mundësi të punojnë në kushtet më të mira të mundshme dhe të çliruar nga taksat, si kusht që Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt projektit 'Shqipëria superfuqi e Hitech në rajon'.
Kryeministri theksoi se shqiptarët do ngjiten më shpejt se kombet e tjera në destinacionin e tyre, ndërsa tha se transformimet më epokale në këtë fushë i kanë bërë 20 dhe 22 vjeçarët.
“Gara është shumë e egër por të rinjtë kanë faktuar se e kanë fituar këtë garë. Dhe Shqipëria ka popullsinë me moshë të re. Nuk duhet të harrojmë që transformimet më epokale në këtë fushë i kanë bërë 20-22 vjeçarët”, shtoi Berisha.
ProTIK është qendra burimore për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri. E krijuar në tetor të vitit 2012 si një partneritet publik privat midis Qeverisë Shqiptare, Qeverisë Amerikane dhe Kompanive ndërkombëtare dhe Shqiptare (Microsoft, Cisco dhe Albtelecom), kjo qendër synon të ndihmojë në zhvillimin e sektorit të TIK në Shqipëri.
ProTIK ofron një mjedis teknologjik bashkëkohor ku biznese, sipërmarrës, akademikë, studentë apo profesionistë të TIK mund të punojnë, bashkëveprojnë e takohen.
Misioni i ProTIK është të ndihmojë në zhvillimin e sektorit të TIK në Shqipëri. Qëllimet e qendrës janë promovimi i Inovacionit dhe Sipërmarrjes; stimulimi i kërkesës për TIK dhe promovimi i partneriteteve dhe rrjetëzimit profesional.