TIRANE, 18 shkurt 2013 – Zhbllokohet kreditimi i ekonomisë. Të dhënat e fundit të shoqatës së bankave tregojnë se gjatë tremujorit të fundit të 2012-ës, niveli i kredive për bizneset dhe individët është rritur. Kështu, sipas statistikave në fund të dhjetorit, nga bankat u dhanë 577.8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 2 për qind.
“Në fund të tremujorit të katërt 2012, aktivet e sistemit bankar arritën në 1,187 miliardë lekë, ose rreth 0.1 për qind më të ulëta nga fundi i tremujorit të kaluar. Në terma vjetor bilanci i bankave ka shënuar rritje prej rreth 6 për qind. Kreditë e akorduara arritën 577,8 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 2 për qind. Rritje më të madhe përgjatë vitit ka shënuar kreditimi i kompanive, rreth 2.6 për qind, dhe rreth 0.23 për qind përgjatë tremujorit të fundit 2012”,- thuhet në raport.
Elementi pozitiv qe konstatohet në dhjetor është rënia e kredive me probleme, të cilat arritën në 22.5 për qind të totalit, krahasuar me 23 për qind në fund të muajit nëntor. Shoqata e bankave vlerëson se sistemi bankar mbetet i përfshirë në plotësimin e nevojave te biznesit për kredi.
“Ngadalësimi i ritmeve të rritjes së portofolit të kredisë për biznese pasqyron ecurinë e dobët të aktivitetit ekonomik në vend si dhe pasiguritë për të ardhmen. Me gjithë ngadalësimin e ritmeve të zgjerimit të kredisë, në muajin dhjetor është vënë re një rënie në kreditë me probleme, të cilat arritën në 22.5 për qind të totalit, krahasuar me 23 për qind në fund të muajit nëntor 2012, ndërkohë që bankat mbeten të përfshira në plotësimin e nevojave për financim të sektorit privat. Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, në fund të tremujorit të katërt 2012, arriti rreth 991,7 miliardë lekë, me një rritje vjetore rreth 7.3 për qind”, thuhet në raport.