TIRANE – Grupi energjetik CEZ, që nga viti 2005, kohë kur ka filluar zgjerimin në tregjet e huaja ka investuar rreth 2.8 miliardë euro dhe nga të gjitha vendet priten përfitime, me përjashtim të Shqipërisë.
Lajmi publikohet në gazetën e Pragës “Monitor”, duke cituar zëdhënësen e CEZ, Barbora Pulpanova.
“Investimet e huaja të CEZ përbëjnë rreth një të pestën e totalit të investimeve të firmës që nga viti 2005. Në bazë të të dhënave kthimi i përgjithshëm mbi investimet e huaja ka arritur në 71 për qind. Por CEZ ka probleme të mëdha me operacionet shqiptare. Autoritetet shqiptare i hoqën licencën kompanisë çeke për shpërndarjen e energjisë elektrike duke bërë që CEZ-i mëmë të humbasë kontrollin mbi firmën e saj në Shqipëri”.
Në vitin 2009, CEZ bleu 76 për qind të kompanisë shqiptare CEZ Shpërndarje për shumen 102 milionë euro Në vitin 2010 dhe 2011 firma shqiptare pati një pasqyrë pozitive, por vitin e kaluar ajo u zhyt në humbje.
Sipas CEZ-it, humbja ishte për shkak të një rritjeje dyfish në blerjen e çmimeve të energjisë elektrike e cila, nga autoritetet vendore nuk u lejua të pasqyrohet në çmimin final të energjisë elektrike.
Këtë vit, CEZ-it iu hoq licenca ndërkohë që u caktua një administrator shteti në krye të CEZ Shpërndarje. CEZ-i ka ndërmarrë hapa për të përgatitur një arbitrazh kundër shtetit shqiptar mbi dëmet, si pasojë e investimeve të dështuara, që llogaritet në shumën 5 miliardë korona çeke.