TIRANE – Shlyerja e Këstit të dytë të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit nis këtë javë dhe do të përfundojë në qershor të këtij viti. Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", Lek Hajdari, kreu i Sektorit të Pagesave të Dëmshpërblimeve për ish-të Burgosurit Politikë shpjegon termat kohore në të cilat do të shpërndahet fondi prej 3 miliardë lekësh (rreth 30 milionë dollarë) i vënë në dispozicion nga qeveria për këtë qëllim. Sipas Lekë Hajdarit, fondin do ta përfitojnë të afërmit e ish-të dënuarve që jetojnë, sipas një radhe kronologjike të përcaktuar saktësisht. Sektori i dëmshpërblimeve do të publikojë çdo dy javë nëpër media emrat e përfituesve, të cilët do t'u kalohet shuma e dëmshpërblimit nëpër llogaritë bankare. Kreu i sektorit thekson në intervistë se për këtë vit janë vendosur rregulla shumë të rrepta për respektimin e kronologjisë së pagesave, e cila nis me pagesën e parë të kryer në vitin 2009. Hajdari sqaron gjithashtu se gjatë këtij viti janë bërë disa pagesave për llogari të disa dosjeve me mangësi në dokumentacion, probleme të cilat do të korrektohen në vazhdim me publikimin e emrave të tyre nëpër media.
Si po ecet me pagesat e dëmshpërblimeve për këtë vit?
Aktualisht numërohen 23 vendime të Këshillit të Ministrave për dëmshpërblimin e të dënuarve në kohën e komunizmit. Përmes këtyre vendimeve u është njohur e drejta e dëmshpërblimit 11729 ish-të dënuarve. Praktikisht vazhdojmë të paguajmë pa ndërprerje këstin e parë, ndërkohë që është gjithashtu në vazhdim shlyerja e këstit të dytë për ish-të dënuarit që janë gjallë dhe veçanërisht ata të dënuar me sëmundje të rënda. Aktualisht jemi në përfundim të shlyerjes së këstit të parë për kategorinë e të dënuarve që jetojnë. Dhe më duhet të nënvizoj, se nëse ka ende të dënuar të kësaj kategoria që nuk kanë marrë këstin, kjo ka ndodhur sepse nuk kanë paraqitur dokumentacionin që vërteton se janë gjallë. Këtë e them për faktin se ato para thjeshtë mbeten të bllokuara në bankë.
Nga buxheti i shtetit për vitin 2013 është parashikuar fondi prej 3 miliardë lekësh për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve të epokës së komunizmit. Si do përdoret ky fond? Si do veprohet për shlyerjen e këstit të dytë?
Këtë javë do të nisë pagesa e këstit të dytë e të dënuarve me trashëgimtarë. Bëhet fjala për ata ish-të përndjekur, të cilët nuk jetojnë më dhe për rrjedhojë, dëmshpërblimin e përfitojnë familjarët e tyre. Në këtë pikë më duhet të sqaroj dy momente shumë të rëndësishme, të cilat sigurisht janë në favor të të interesuarve. Së pari, pagesa e këstit të dytë dhe e këstit të radhës, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, do të bëhet saktësisht sipas radhës kronologjike me të cilën është paguar kësti i parë.
Çfarë duhet kuptuar më specifikisht me radhën kronologjike?
Duhet kuptuar që pagesa e dëmshpërblimeve ka nisur në mars të vitit 2009, me pagesën numër një. Sot jemi te pagesa numër 390. Kësti i dytë për këtë kategori do të shlyhet sipas kronologjisë që kemi përdorur që nga marsi i vitit 2009. Të parët do ta përfitojnë dëmshpërblimin ata që u dëmshpërblyen në pagesën numër një, pas tyre ata që u dëmshpërblyen me pagesën numër dy e kështu me radhë.
E kanë të qartë të përndjekurit këtë procedurë? E dinë se kujt pagese i përkasin që të paraqiten për të tërhequr këstin e dytë?
Pikërisht këtë po përpiqem të shpjegoj, se ka shumë konfuzion në këtë pikë. Së pari, do jepen dëmshpërblimet për ata që e kanë marrë në vitin 2009 këstin e parë, pas një muaji apo një muaji e gjysmë, do të nisë të shpërndahet kësti i dyte për ata të përndjekur që e kanë marrë në 2010, e kështu me radhë. Këmbëngul te respektimi i kronologjisë së shlyerjes së dëmshpërblimeve, pasi me porosi të drejtpërdrejtë të ministrit të Financave, nuk do të këtë në asnjë rast shkelje të kësaj kronologjie. Askush nuk do të arrijë ta përfitojë këstin jashtë radhës. Ashtu si edhe, gjithashtu me porosi të ministrit të Financave, stafi i zyrës së Trajtimit Financiar të ish-të Dënuarve do të punojë pa ndalesë për të përfunduar pa vonesë shlyerjen e këstit.
Thatë se për një muaj përfundon shlyerja e ish-të dënuarve që e kanë marrë këstin e parë në vitin 2009, e më pas nis 2010-ta, e kështu me radhë… ndërkohë po thoni se zyra do të përshpejtojë ritmet. Kur mendoni se do të paguhet i tërë kësti i dytë?
Me këto ritme me të cilat po punon sektori, mendoj se pagesa e këstit të dytë do të përfundojë në muajin qershor. Objektivi i sektorit është që deri në muajin qershor të jetë shpërndarë tërësisht fondi prej 3 miliardë lekësh i vënë në dispozicion nga qeveria për këtë vit. Siç ju thashë, do të punojmë me orare të zgjatura, qoftë edhe non stop, që shlyerja e këstit për këtë kategori do të përfundojë deri në qershor. Dhe së dyti, dua të sjell në vëmendje të të interesuarve një problem që ka me dosjet, të cilat e kanë përfituar dëmshpërblimin në vitin 2009.
Duke qenë se procesi nisi për herë të parë pikërisht këtë vit, pa një përvojë të mëparshme, ka sjellë për pasojë kryerjen e disa pagesave për dosje ish-të dënuarish me mungesa të caktuara në dokumentacion.
Për çfarë lloj mungesash bëhet fjalë.
Për të sjellë një shembull, po them se janë bërë pagesa në një çast kur të interesuarit nuk kanë depozituar aktin e trashëgimisë. Ka dosje të tjera të paguara pa pasur certifikatën e vdekjes dhe të trungut familjar. Në dosje të tjera numri rendor i të dënuarit është dërguar me email, apo me shënim dore. Asnjë prej këtyre nuk do të përfitojë këstin e dytë pa plotësuar tërë dokumentacionin e nevojshëm.
Si do informohen këta persona që dosjet e tyre kanë mangësi?
Bashkë me listat e emrave që do të përfitojnë dëmshpërblimin, sektori do të publikojë në shtyp edhe emrat e ish-të dënuarve, dosjet e të cilave kanë parregullsi. Me t'u informuar për këtë, do të plotësojnë dokumentacionin dhe do vijojnë normalisht përfitimin e këstit. Dua t'i informoj gjithashtu se një ditë në javë zyra juridike e sektorit të dëmshpërblimeve do të jetë tërësisht në dispozicion të këtyre dosjeve me mangësi në dokumentacion. Përveç kësaj, dy ditë në javë sektori i dëmshpërblimeve i ka vënë në dispozicion të plotë të pritjes së të interesuarve për të sqaruar çdo problem që mund të kenë me të dhënat apo me dokumentacionin përkatës.
Me çfarë ritmi do të bëhet publikimi i listave të përfituesve nëpër media?
Mesatarisht çdo dy javë do publikojmë nëpër media listat me emrat e përfituesve. Ajo që dua t'u them të gjithë të interesuarve është se nuk kanë asnjë arsye të vihen në lëvizje për të përfituar këstin. Duhet të presin vetëm publikimin e listave sipas radhës kronologjike. Duhet të jenë të bindur se do të respektohet në mënyrë të detajuar kjo radhë.
Po lidhur me kategoritë e ish-të dënuarve që janë gjallë dhe të të sëmurëve?
Këto të dy kategori, si të dënuarit e gjallë, si edhe ata me sëmundje të rënda kanë përparësi nga neni 7 i vendimit 419 të Këshillit të Ministrave. Sipas një vendimi të vjetshëm të Këshillit të Ministrave, për shlyerjen e këstit të dytë të dëmshpërblimit do të ndiqet radha e shlyerjes së këstit të parë, me përjashtim të ish-të dënuarve mbi 65 vjeç, apo familjarëve që përfitojnë shpërblimin, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda. Pas këtij vendimi kërkuam që Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë të përcaktonin teknikisht cilët do të konsideroheshin me këtë status. Përcaktohen dy kategori. Në të parën përfshihen ish-të dënuarit që kanë paaftësi të plotë pune. Dhe këtu më duhet të nënvizoj se nuk bëhet fjalë për pensionistët, por për ata që konsiderohen si plotësisht të paaftë nga pikëpamja shëndetësore. Përcaktimi për këtë kategori bëhet vetëm nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë. Kategoria e dytë është ajo ku përfshihen ish-të dënuarit që vuajnë nga sëmundje e ashtuquajtura malinje. Autoritetin për t'i njohur këtë status ish-të dënuarve e kanë katër institucione shëndetësore shqiptare, të cilat janë qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Spitali Universitar i Sëmundjeve të Mushkërive "Shefqet Ndroqi", Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik "Mbretëresha Xheraldinë" dhe Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik "Koço Gliozheni".
Praktikisht çfarë përfitojnë këta ish-të dënuar që rezultojnë të paaftë për punë apo me sëmundje të rënda?
Është e rëndësishme të kuptohet se këto dy kategori e përfitojnë këstin e dytë jashtë radhës kronologjike të përcaktuar në vendimet e kaluara të qeverisë. Nga ana tjetër, ky prioritet do të vazhdojë për të gjitha këstet.
Sa nga ish-të dënuarit rezultojnë të përfshirë në këto dy kategori, pra që vuajnë nga sëmundje të rëna?
Nuk mund të flasim ende për një shifër të saktë, se një pjesë e tyre janë ende në proces shqyrtimi nga komisionet përkatëse. Por dua të përfitoj nga rasti t'i ftoj të interesuarit të mos u drejtohen komisioneve mjeko-ligjore të njësive territoriale, të cilat japin vërtetime për paaftësi të përkohshme pune. Bëhet fjalë për paaftësi të përhershme shëndetësore dhe jo paaftësi pune apo pension. I ftoj të interesuarit të shmangin këtë lloj konfuzioni, si dhe të tjera, të cilat nuk bëjnë tjetër veç na e bëjnë ne shumë të vështirë t'u ofrojmë dëmshpërblimet.