TIRANE, 17 shkurt 2013 – Kryeministri Berisha po mendon për kontrollin e Partisë Demokratike, edhe pasi të tërhiqet nga skena politike. I pasigurt për riciklimin në pushtet në zgjedhjet e 23 Qershorit dhe i presionuar nga mosha biologjike, kryeministri Berisha po e delegon gradualisht pushtetin e tij në duart e fëmijëve. Kështu, pasi u katapultuan në postet kyçe të piramidës shtetërore, shokët e Argita dhe Shkëlzen Berishës pritet të bëhen pjesë e rikonfigurimit të Parlamentit të ardhshëm, i cili do të dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit.
Edhe pse pjesa më e madhe e miqve të fëmijëve të kryeministrit janë pjesë e kabinetit qeveritar dhe e grupit parlamentar demokrat, edhe në këto zgjedhje, kryeministri do të forcojë më tej pozitat e fëmijëve dhe të Lulzim Bashës në Kuvend. Shokët e fëmijëve të kryeministrit respektivisht përbëjnë edhe grupin e Lulzim Bashës, i projektuar nga familja si pasardhës i Berishës. Ndërkaq, teksa ethet e listave të kandidatëve për deputetë kanë përfshirë grupin parlamentar, mësohet se surpriza do të jetë pikërisht përfshirja e njerëzve të familjes, duke e kthyer PD në një plaçkë të një grupi të caktuar.
Konkretisht, pjesë e listave të PD për deputetë pritet të bëhet Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, i njohur si mik i ngushtë i fëmijëve të kryeministrit. Erla Mëhilli pritet të jetë një tjetër emër që do të zëvendësojë fytyrat e vjetra në PD. Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Elvana Hana, duket se do të jetë një tjetër surprizë në lista e PD. Zonja Hana është drejtore i ISKSH dhe mbesa e bashkëshortes së kryeministrit Berisha, Liri Berisha. Gjithashtu pjesë e listës pritet të jetë Gjergj Lezhja Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Pjesë e listës pritet të jenë edhe Arben Ristani dhe Ferdinad Poni, dy zëvendësministrat e Brendshëm. Ristani është paralajmëruar nga vetë kryeministri Berisha. Nga bota e medias, pjesë e listave të PD, pritet të jetë gazetarja e njohur Sonila Meço si dhe botuesi i gazetës 55 Fahri Balliu.
Shokët e fëmijëve
Aldo Bumçi, shoku i klasës së Shkëlzen Berishës, deputet dhe aktualisht ministër i Kulturës, do të udhëheqë fushatën në Tiranë. Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, shok klase me vajzën e kryeministrit, do të udhëheqë fushatën e Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit. Ndërkohë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, mike e përbashkët e fëmijëve të kryeministrit Berisha, do të koordinojë daljet e deputetëve në media. Pra, shokët e fëmijëve të kryeministrit Berisha drejtojnë fushatën e PD për zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit si dhe kryesojnë listat e kësaj partie.
Lufta për Bashën
Tashmë nuk është më sekret fakti se Berisha ka piketuar si pasardhës, yllin në ngjitje të PD, Lulzim Basha, i njohur si shoku i ngushtë i vajzës së kryeministrit. Meqenëse Berisha nuk mund t’ua dorëzojë stafetën e kryetarit të PD drejtpërdrejt fëmijëve të tij, ka zgjedhur Bashën, i cili natyrisht do të komandohet nga familja. Pa bekimin e familjes kryeministrore, Basha nuk mund t’u rezistojë as tre ditë ujqërve të vjetër dhe klaneve të fuqishme në Partinë Demokratike, grupe të cilat po përgatiten gjithashtu për të marrë në duar drejtimin e Partisë Demokratike. Madje, arsyeja kryesore e luftës së paprecedentë me Topin, ishte fakti se Topi shihej si një rrezik evident për pasardhës. Vetë Bamir Topi ka deklaruar se Berisha e bëri President për ta larguar nga partia.
Kandidatët e rinj për deputetë të PD
Keltis Kruja, Prefekt i Tiranës, Keltis Kruja, anëtar i Kryesisë së PD
Erla Mëhilli, zëdhënëse e kryeministrit Berisha
Eno Bozdo, zëvendësministër i Ekonomisë
Sonila Meço, gazetare
Ferdinand Poni, zëvendësministër i Brendshëm
Arben Ristani, zëvendësministër i Brendshëm
Elvana Hana, drejtore i ISKSH, mbesa e bashkëshortes së Berishës
Suzana Guxholli, këshilltare për ekonominë e kryeministrit Berisha
Njazi Kosovrasti, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD
Fahri Balliu, anëtar i Këshillit Kombëtar
Oerd Bylykbashi, drejtor i kabinetit të kryeministrit
Alfred Olli
Arta Sakja
Juela Meçani
Shefqet Deliallisi
Eduard Selami, anëtar i Këshillit Kombëtar
Andrea Mano
Petraq Milo, këshilltar për ekonominë i kryeministrit
Armand Teliti
Ilir Krosi
Gjergj Lezhja, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë
Bledi Kasmi, kryeredaktor i RD
Miqtë e Argitës dhe Shkëlzenit në poste
-Lulzim Basha, miku i ngushtë i Argita Malltezit, ish-ministër i Transporteve, ish-ministër i Jashtëm, ish-ministër i Brendshëm, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe kandidat kryesor për pasardhës i Berishës.
-Aldo Bumçi, shoku i klasës së Shkëlzen Berishës, deputet, ish-ministër i Drejtësisë, aktualisht ministër Kulture.
-Enkelejd Alibeaj, deputet, ish-ministër i Drejtësisë, shok i ngushtë me bijtë e kryeministrit
-Eduard Halimi, ministër drejtësie, shok klase me vajzën e kryeministrit.
-Majlinda Bregu, ministre e Integrimit mike e përbashkët e fëmijëve të kryeministrit Berisha
-Keltis Kruja, shoku i Shkëlzen Berishës, Prefekt i Tiranës, ish-anëtar i KRT së Tiranës.
-Gerta Picari, shoqe e Argitës, ish-drejtoreshë tek tatimet në 2007, drejton Drejtorinë e Politikave Makroekonomike dhe Fiskale, në Ministrinë e Financave.
-Edi Spaho, Prokurimet Publike, shok klase me vajzën e kryeministrit.
-Helga Vukaj, AKKP, shoqe e Shkëlzen Berishës.
-Edit Harxhi, Zv.Ministre e Jashtme, shoqe e fëmijëve të kryeministrit Berisha
-Kristaq Gjylin, ish-zëvendësdekan në Fakultetin Juridik të Tiranës, shok i fëmijëve të kryeministrit Berisha, i projektuar për t’u bërë drejtor tek tatimet.
-Iva Zajmi, Zv.Ministre e Brendshme.
-Elvana Hana, drejtore i ISKSH, mbesa e bashkëshortes së kryeministrit Berisha, Liri Berisha.
-Agim Rama, daja i fëmijëve të kryeministrit, anëtar i bordit mbikqyrës në Portit të Durrësit
-Nipi i Berishës, Dritan Berisha, Oficer i Kontaktit në Kancelarinë Konsullore në Romë.
-Daja i dhëndrit të Sali Berishës, Bashkim Bekteshi, Konsull i Përgjithshëm në Bari
-Motra e Aleksandër Frangajt, Majlinda Dodaj, Romë, Vatikan
Marrë nga Agjensia e Lajmeve Sot NEWS