TIRANE – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi sot përmes një konference për shtyp nga selia rozë një tjetër prurje të re që i bashkohet socialistëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryesocialisti bëri të ditur se biznesmeni Parid Cara do të jetë kandidat i PS-së në qytetin e Kavajës. Sipas Ramës, Cara është një tjetër vlerë e shtuar për PS-në, pas përfshirjes së gazetarit Alfred Peza, i cili do të kandidojë në Peqin.
Një ditë më parë, me anë të një komenti në rrjetin social të “Facebook”, Alfred Peza komentoi prezantimin e tij zyrtar si kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Peqin.
“Me kënaqësi ju njoftoj se në Peqin, u bë prezantimi im si kandidat për deputet i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 23 qershorit. Një takim i jashtëzakonshëm për nga pjesëmarrja, por mbi të gjitha një qytetari e rrallë. Një falenderim i madh për të gjithë bashkëqytetarët e mi, drejtuesit, anëtarët e strukturave të Partisë Socialiste në bazë dhe për mbështetësit tanë të shumtë. Nga Peqini, filloi Rilindja”, – është shprehur Peza.