TIRANË, 16 shkurt 2013 – Ministria e Brendshme akuzoi kryesocialistin Edi Rama si fajtorin e vetëm të ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit të vitit 2011. Sipas këtij dikasteri Rama sot duhet të ishte në bankën e të akuzuarve. 

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Leonard Olli, duke replikuar me një deklaratë të deputetit socialist Sajmir Tahiri, bërë disa orë më parë, tha se kasneci i Ramës shpif në lidhje me ekspertizën, e cila sipas tij është bërë në transparencë të plotë dhe nën vëzhgimin e Prokurorisë së Përgjithshme. 

“Pamjet filmike janë të qarta dhe do të vihen në dispozicion të kujtdo që do t’i kërkojë”,- tha Olli, duke treguar një fragment edhe për mediat e pranishme. 

Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, në një deklaratë për shtyp dhënë ditën e sotme kërkoi që eksperti i Ministrisë së Brendshme, që akuzohet për manipulim provash, të arrestohet.
“Ne kërkojmë arrestimin e menjëhershëm të eksperit Ndoc Cardaku. Ky është një kriminel që ka guxuar të manipulojë provat njëlloj si ata të tjerët që urdhëruan dhe ekzekutuan vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Aleks Nikajt dhe Hekuran Dedës”,- tha deputeti socialist. 

Në emër të PS, Tahiri theksoi se 21 Janari do vlerësohet si vrasja e 4 qytetarëve të pafajshëm nga Kryeministri dhe banditët e tij.