KOSOVE– Një delegacion i lartë i Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, dhe kreut të LDK-së, me rastin e pesëvjetorit të shpalljes së Pavarësësisë se Kosovës, ka bërë homazhe në varrezat e Jasharëve në Prekaz, mëngjesin e se shtunës. Pas homazheve ata janë prononcuar për mediet e shumta.
Presidentja, Atifete Jahjaga: Kemi ardhur sot të gjithë këtu së bashku në ditëlindjen e 5 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendosim lule në vendin ku prehen dëshmorët, luftëtarët e lirisë dhe komandanti legjendarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Liria dhe pavarësia e Republikës se Kosovës themelet i ka pikërisht në veprimtarinë e këtyre kolosëve të cilët nuk kursyen asgjë duke bërë edhe sakrificën më sublime për shtetin e Kosovës që të jetë një shtet i lirë, sovran, një shtet që ka të ardhme të sigurt të anëtarësimit në bashkimin evropian dhe në miqësi të përjetshme me ShBA. Lavdi të përjetshme të gjithë dëshmorëve dhe vepra e tyre të jetë udhërrëfyes për të gjithë neve.
Kryeministri, Hashim Thaçi: Jemi këtu të gjithë së bashku për të nderuar jetën dhe veprën e Komandantit legjendarë Adem Jashari, sakrificën e Familjes Jashari, e të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, të të rënëve, të invalidëve, të gjithë qytetarëve të vendit. Jemi të gjithë së bashku për nderime shtetërore për këtë sakrificë të madhe, sakrificë të unitetit dhe bashkimit të gjithë shqiptarëve për çlirimin e Kosovës por në të njëjtën kohë jemi të gjithë së bashku këtu që të marrim energji dhe për angazhimet tona të ardhshme, për integrime të shtetit të Kosovës në strukturat e NATO dhe BE.
Kryetari i LDK-së dhe Prishtinës, Isa Mustafa: Jemi këtu që të nderojmë veprën e Komandanti Adem Jashari dhe Familjes Jashari dhe dëshmorëve tjerë, është vepër e cila për të gjithë popullin e Kosovës dhe shtetin e Kosovës në këtë ditë të kremtimit të pavarësisë së Kosovës, dëshirojmë të iu bëjmë nderë atyre, trimave dhe njerëzve që flijuan çdo gjë për Pavarësinë e Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Jemi këtu në mënyrë të përbashkët të nderojmë dhe tregojmë përkushtimin tonë të përbashkët shtetin e Kosovës, njofton korrespondenti i Kohës Ditore .
Pas prononcimeve ata u futen në veturat e tyre luksoze dhe të ngrohta dhe ikën me shpejtësi për nga Prekazi pa trokitur në derën e Familjes se madhe Jashari.
Klinë, 16 shkurt – Zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike, bashkërisht, kanë qëndruar në Klinë dhe kanë nderuar figurën e Komandantit të UÇK-së në Klinë, Mujë Krasniqi. Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, zyrtarja e AKR-së Mejzene Selmani, kanë vendosur kurora lulesh të busti i Mujë Krasniqit në sheshin e këtij qyteti që mban emrin e këtij dëshmori.
Vizita është bërë me rastin e 17 Shkurtit, 5 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në përbërje të delegacionit pothuajse ishin komplet kabineti qeveritar i Kosovës dhe kryetarë komunash. Në delegacion nuk ka qenë kryeparlamentari Jakup Krasniqi por as lideri i AAK-së Ramush Haradinaj. Pasi kanë nderuar Mujë Krasniqin dhe përshëndetur me babin e dëshmorit, ata pa dhënë ndonjë deklarate për media janë larguar nga Klina në karvanin e gjatë të automjeteve, njofton korrespondenti i Kohës Ditore.
Aktivitetet kryesore për shënimin e 5 vjetorit të pavarësisë janë parapare të dielën. Do të ketë seancë solemne, vizita të varrezat e dëshmorëve dhe aktivitete tjera kulturore e sportive.