PRISHTINË– “Pavarësia e Kosovës është kryevepër e synimeve, idealeve, përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të brezave të tërë”, tha dje kryeministri Hashim Thaçi, në akademinë solemne me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 43-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës.
“Nuk është rastësi fillimi i shënimit të përvjetorit të pestë të pavarësisë së Kosovës pikërisht me këtë akademi. Ashtu si shpallja e Pavarësisë së Kosovës, që është akt unik dhe origjinal, edhe historia e Universitetit të Prishtinës është histori e papërsëritshme e origjinale”, u shpreh ai.
Thaçi tha se, nuk ka ndonjë universitet në botë që mund të krahasohet me rolin promotor të Universitetit të Prishtinës, dhe kontributin e tij në Lëvizjen Kombëtare, që nga themelimi e deri në Pavarësinë e Kosovës.
“Në pak universitete të botës ka ndodhur ngjashëm me Universitetin e Prishtinës, që lidershipi dhe idetë shtetformuese të jenë të lidhura aq ngushtë si në këtë tempull akademik”, theksoi kryeministri Thaçi.
Ai vlerësoi se, Kosova si një shtet funksional, me të drejtë konsiderohet si rrëfim i suksesshëm i shtetndërtimit.
“Brenda një periudhe 14-vjeçare Kosova realizoi dy objektiva të mëdha historike. Çlirimin dhe pavarësinë. Kosova mbi të gjitha është shtet që prodhon paqe, fqinjësi të mirë dhe stabilitet në rajon”, tha Thaçi.
Kreu i qeverisë kosovare theksoi se, Kosova me udhëheqjen e Bashkimit Evropian, dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë, me besim që së shpejti Pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga ky shtet fqinj, dhe me synimin e evropianizimit të të gjithë rajonit.
“Kosova është në rrugë të mbarë për përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në institucionet euro-atlantike, në Bashkim Evropian, NATO dhe në rrugë të drejtë drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha kryeministri Thaçi.
Sipas tij, Kosova do t’i kryej obligimet e veta për t’i implementuar të gjitha kriteret demokratike karshi standardeve të BE-së, siç kërkon vazhdimisht që edhe Bashkimi Evropian të mos vonohet me Kosovën.
“Në 5-vjetorin e pavarësisë, Kosova evropiane, Kosova e shekullit njëzet e një, është shtet me perspektivë të sigurt, për të gjithë qytetarët e saj. Në 5-vjetorin e Pavarësisë, Kosova është e sigurt në rrugën drejt objektivit të tretë historik, anëtarësimit të saj në NATO dhe Bashkimin Evropian”, theksoi Thaçi.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969, ndërsa ishte ndër kërkesat e demonstratave studentore e gjithëpopullore një vit më herët. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.