TIRANE, 15 shkurt 2013– Kuvendi i Shqipërisë hodhi poshtë, denoncimin e kreut të Partisë Socialiste, se opozita nuk ka marrë ftesë në mënyrë institucionale për të qenë e pranishme në seancën solemne me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Sipas një njoftimi të Kuvendit, përveç publikimit dje në faqen zyrtare të Kuvendit, janë njoftuar me telefon për këtë seancë sekretaret e të gjitha Grupeve Parlamentare, (përfshirë atë të PS-së).
“Pas lajmërimit të bërë dje, sekretarja e grupit të PS-së ka kërkuar në emër të zotit Ruçi të dijë edhe programin. Në të njëjtën kohë, dje sekretaret e Seancës Plenare kanë lajmëruar të gjithë deputetët e pranishëm në seancën e djeshme për ceremoninë e ditës së sotme. Deklarata e sotme e Zotit Rama është gjëja më e pavërtetë”,- thuhet në deklaratën e Kuvendit.
Të pavërtetat e Ramës, vijon më tej Kuvendi, nuk i bëjnë mirë askujt, veçse na bëjnë të besojmë se, është vetë ai që nuk i ka lënë deputetët e vet të marrin pjesë në këtë ceremoni të një përvjetori historik siç është 5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Rama: U përdor Pavarësia për sulm ndaj opozitës
Seancën e sotme solemne në Parlamentin shqiptar me rastin e 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama e cilësoi, një seancë tinzare dhe skuthash.
Ai akuzoi Kuvendin e Shqipërisë se opozita nuk është lajmëruar në rrugët e zakonshme institucionale, duke shtuar se, akti solemn i pavarësimit të Kosovës u përdor për të sulmuar opozitën.
“5 vjetori kërkonte jo një seancë të improvizuar, për Kryeministrin dhe Kryetaren, një seancë jubilare të mirëfilltë me organizim dhe të ftuar special, dhe sigurisht me përgatitjet e duhura. Por kjo nuk ndodhi sepse Kosova, Shqiptaria apo vetë kombi i ndarë në 5 shtete, siç kuturiset ta përshkruaj kryeministri në ikje, për këta që qeverisin sot Shqipërinë, janë vetëm material elektoral”- tha Rama.
Kreu socialist theksoi se këto janë veprime të dëshpëruar nga njerëz të dëshpëruar, që për atdhe kanë vetëm pushtetin. “Retorika nacionaliste është streha e fundit e zullumqarëve”,- tha Rama.
Seanca kushtuar pavarësisë së Kosovës
Në nisje të seancës parlamentare kryeparlamentarja Topalli tha se sot nderohet një nga ngjarjet më historike të kombit tonë.
“Sot ne kemi menduar të organizojmë një ceremoni të veçantë për një ngjarje historike. Pas dy ditësh festohet 5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, ngjarja më e madhe besoj pas pavarësisë së Shqipërisë që nga koha e Skëndërbeut”, tha ajo.
“Ne kemi demonstruar në vite se jemi “një komb një qendrim, ne jemi shqiptarë, e kemi këtë status dhe e mbajmë me krenari të madhe kudo që të jemi”, shtoi ajo. Topalli nënvizoi më tej se Kosova ka avancuar në rrugën e integrimit dhe shtoi se pikërisht atje do ndodhë bashkimi I shqiptarëve, në Europë.
Gjatë fjalës së tij në seancën solemne të Kuvendit në kuadër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Berisha theksoi se liria e Kosovës është kryevepra më e madhe e shqiptarëve që nga luftërat e Skënderbeut deri në ditët e sotme.
“Pavarësia e Kosovës përbën, pas Luftës së Dyte Botërore ngjarjen më të madhe jo vetëm në lirinë e shqiptarëve, por në Lirinë e Ballkanit dhe kontinentit. Sot ne nderojmë jo vetëm një 5-vjetor, por nderojmë 125 vite dhe më shumë luftëra, përpjekje mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës kundër padrejtësive që u projektuan ndaj tyre, luftën dhe përpjekjen e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar. Sot nderojmë burrat e gratë e Kosovës që bënë që flakët e lirisë të mos shuheshin kurrë në këtë tokë shqiptare. Sot ne nderojmë burrin vigan të kombit shqiptar, një nga personalitetet më të shquara të historisë tonë kombëtare, presidentin Ibrahim Rugova. Ne nderojmë presidentin Rugova, sepse në një rast unik të Ballkanit dhe në Europë, ai zgjodhi rrugën paqësore për të promovuar një kauzë të drejtë, çështjen e shqiptarëve të Kosovës.”- u shpreh kryeministri.
Sipas shefit të qeverisë, presidenti Rugova dëshmoi se nacionalizmi shqiptar bazohet në shpirtin e lirisë dhe interesin jetik kombëtar. Berisha theksoi se nacionalizmi shqiptar nuk ka pretendime territoriale, por bazohet në vlerat e bashkëpunimit e bashkëjetesës me fqinjët.