TIRANE, 15 shkurt 2013 – Po ndodh ajo që i druhej më shumë kryetari i opozitës shqiptare. Konflikti për listat e kandidatëve për deputetë në selinë rozë po provokon krisjen e Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të 23 Qershorit. Lufta e ftohtë për drejtimin e fushatës në qarqe si dhe për të siguruar një vend në listën e deputetëve mbi vijën e sigurisë, tashmë ka plasur në publik. Pas drejtuesve të PS në rrethe, tashmë po ngrenë zërin edhe deputetët, siç është edhe rasti i deputetit socialist, Asllan Dogjani. Zyrtarizimi i gazetarit Alfred Peza, jo vetëm si anëtar i thjeshtë i Partisë Socialiste, por tashmë në krye të listës për deputetë të kësaj partia në Qarkun e Elbasanit, ka provokuar drejtuesit dhe bazën e PS në këtë qark.
Edhe pse në qytetin e Elbasanit situata paraqitet e qetë, debatet vlojnë në Peqin. Rama shkarkoi drejtuesin e PS së Peqinit për t’i hapur rrugën Pezës, por debatet nuk u mbyllën. Kreu i PS së Peqinit mësohet se ka kërcënuar kryesocialistin, teksa e ka paralajmëruar që të mos guxonte të shkonte në Peqin gjatë fushatës elektorale. Pas Peqinit, sherri ka plasur në PS e Gjirokastrës. Drejtuesit e PS së Gjirokastrës kanë kundërshtuar ashpër figurën e Anastas Angjelit, i caktuar nga Rama si i deleguar në këtë qark dhe si kryesues në listat për deputetë. Drejtuesit e PS kanë refuzuar Angjelin me argumentin se nuk reflekton vullnetin e bazës së PS, por është diktuar nga lart.
Nga ana tjetër, Rama nuk është tërhequr nga vendimi i tij, ndërsa ka autorizuar drejtues të lartë të PS për të qetësuar situatën. Ndërkaq, situata paraqitet e nderë në Qarkun e Korçës. Pasi zhvendosi Blushin, Majkon dhe Kodhelin, Rama po mban pezull Qarkun e Korçës. Sipas burimeve, Rama ka projektuar Erjon Veliajn, delen e zezë në PS, por duket se caktimi i Veliajt për të kryesuar fushatën në Korçë do të shkërmoqë strukturat e PS. Ndërkohë, ish-kryetari i Partisë Socialiste të rrethit Korçë. Muharrem Meko dhe kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi, janë pozicionuar kundër Ramës. Ndërkohë, Rama ka deleguar mjekun Ylli Ziçishtin për të kryesuar fushatën në Devoll.
Berati dhe Fieri
Nëse në Qarkun e Fierit situata paraqitet e stabilizuar dhe nën kontrollin e Gramoz Ruçit dhe Bashkim Finos, në Berat situata është e nderë. Rivaliteti midis Erjon Braçes dhe Fidel Yllit për të kontrolluar Beratin, vijon të prodhojë tension në PS e Beratit. Po ashtu, në Vlorë është krijuar një klan midis kryebashkiakut Gjika dhe deputetit Deda, të cilët po diktojnë rregullat e lojës në këtë qark. Ndërkaq, e qetë paraqitet situata në Tiranë, Shkodër, Dibër dhe Durrës.
Shkodra
Në Qarkun e Shkodrës, qark në të cilin PS ka fituar terren ndaj PD vitet e fundit, Rama ia ka besuar kryetarit të Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati. Sipas burimeve, Bushati do të kryesojë listën e deputetëve në këtë qark. Ndërkaq, Bushati do të mbështetet nga Keti Bazhdari, kryetarja e grupit të punës për çështjet e ish të përndjekurve politikë. Bushati dhe Bazhdari do të ketë përballë zonjën e hekurt, pra Jozefina Topallin, e cila e ka kthyer Shkodrën në pashallëk. Tiranën, e cila prodhon 33 deputetë, Rama ia ka besuar Sajmir Tahirit, i cili është edhe kryetari i PS për kryeqytetin. Emri i Tahirit mësohet se do të pasohet me atë të Arta Dades. Tahiri dhe Dade do të kenë përballë Aldo Bumçin, i cili do të drejtojë fushatën për PD. Rama ka përforcuar përfaqësimin në Elbasan me gazetarin e njohur Alfred Peza, i cili pritet të mbështesë Ben Blushin. Blushi dhe Peza do të kenë përballë Arben Imamin.
Qarku Dibër
Në Dibër, ku PS arriti një rezultat të dobët në 2009, lista do të kryesohet nga Pandeli Majko, i cili do të mbështetet nga Shkëlqim Cani. Majko dhe Cani do të kenë përball Jemin Gjanën. Ndërkaq, për të shmangur tensionin brenda strukturave, Rama ka vendosur të largojë Braçen nga Berati. Fidel Ylli, i cili ka bërë një punë të admirueshme në zgjedhjet e 2001, pritet të kryesojë listën në Berat. Në Qarkun e Lezhës lista e kandidatëve për deputetet të Partisë Socialiste pritet të kryesohet nga Lindita Nikolli, e cila do të ketë përballë Edi Palokën, drejtues i fushatës për PD. Ylli do të ketë përballë Genc Pollon. Në Fier Lista pritet të kryesohet nga Koço Kokëdhima dhe Armando Subashi, të cilët do të kenë përballë Sokol Olldashin.
Listat e deputetëve, pezull
Deputetët e Partisë Socialiste, në bazë të ambicieve dhe kontributit për reformimin e të majtës, kanë nisur të shqetësohen për fatin e tyre politik pas zgjedhjeve të 2013. Edhe pse na ndajnë më shumë se tetë muaj nga zgjedhjet e parlamentare të 2013, deputetët opozitar kanë nisur lëvizjes e para për të mësuar se në ç’pozicion do të jetë emri i tyre në listat shumemërore për deputetë, që do të harrohen nga kryetari i Partisë Socialiste. Grupi i të konsoliduarëve dhe më pranë kryetarit Rama, po i pret me qetësi zgjedhjet e 2013, pasi e kanë siguruar vendin sipër vijës së sigurisë në listat për deputetë. Ndërkohë, ata të cilët nuk janë të sigurtë për vendin që zënë në zemrën e kryetarit, kërkojnë që lista shumëmerore e kandidatëve për deputetët të mos jetë eksluzivitet i humorit dhe dëshirave të Edi Ramës, por të votohet në forumet drejtuese.
(GAZETA SOT)