TIRANE – Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, zhvilloi sot një takim me ambasadorët e Italisë dhe Greqisë, Massimo Gaiani dhe Leonidas Rokanas.
Gjatë takimit u përshëndet nënshkrimi i marrëveshjes ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit "Trans Adriatic Pipeline", duke e vlerësuar këtë arritje si rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer mes qeverive të të tre vendeve, bashkëpunim i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në të gjitha drejtimet.
Bashkëbiseduesit evidentuan rëndësinë strategjike dhe ekonomike të këtij projekti madhor, jo vetëm për tre vendet, por për gjithë rajonin tonë dhe vetë sigurinë energjetike të Evropës.
Ministri Panariti theksoi rëndësinë e përpunimit të një agjende të përbashkët mes tre vendeve, për çuarjen përpara të projektit TAP, i cili do të jetë një urë e rëndësishme që do të lidhë më shumë Shqipërinë me dy vende anëtare të BE-së, Greqinë dhe Italinë, vendet e rajonit mes tyre, si dhe do të forcojë më tej vizionin e përbashkët për bashkëpunim dhe integrim evropian.