SARAJEVË, 15 shkurt 2013 -Bosnjë-Hercegovina kryeson në rajon për prodhimet e certifikuara hallall dhe zhvillimi i vazhdueshëm i sektorit është pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit.

Më 2006 Bosnjë-Hercegovina hapi Agjencinë për Certifikimin e Cilësisë Hallall për të mbikëqyrur prodhimin e sendeve që janë përgatitur në përputhje me ligjin islamik. Ka 47 kompani të certifikuara që funksionojnë në Bosnjë-Hercegovinë dhe agjencia tha se interesi në certifikimin hallall është i lartë veçanërisht për ushqimin dhe prodhimet farmaceutike.

Valdet Peshtaliç, kreu i departamentit të arsimit në Agjencinë për Certifikimin e Cilësisë Hallall, tha për se numri i konsumatorëve që përdorin prodhimet hallall e tejkalon shumë numrin e myslimanëve.

 “Mundësia e 20 milionë konsumatorëve në tregun hallall të Evropës Juglindore është e rëndësishme, duke marrë parasysh se një e treta e konsumatorëve të prodhimeve hallall janë myslimanë dhe dy të tretat jo-myslimanë”, deklaron Peshtaliçi. Certifikata e hallallit është bërë sinonim i shëndetit, prodhimeve të sigurta dhe ushqimit jo në kundërshtim me kushtet e feve të tjera, tha ai.

Kompanitë e Bosnjë-Hercegovinës po prodhojnë më shumë se 2 000 tipa prodhimesh hallall, që eksportohen në të gjithë botën.

“Bëmë një hap të madh në tregun e Lindjes së Mesme”, – pohon Peshtaliçi. – Gjithashtu, për ne janë me shumë interes tregjet e Malajzisë, Irakut, Pakistanit, Egjiptit, republikat ish-sovjetike, Libia dhe Afrika e Jugut”.

Peshtaliçi tha se nuk është e mundur të dihet e ardhura gjithsej që kompanitë në Bosnjë-Hercegovinë fitojnë nga prodhimet hallall, por sipas të dhënave të agjencisë, tregu botëror i ushqimeve hallall është rritur çdo vit dhe është vlerësuar në 472 miliardë euro ndërsa vlera e përllogaritur për tregun e BE-së është 51 miliardë euro.

Ministri federal i Bujqësisë, Ujit dhe Pyjeve Jerko Ivankoviç, deklaron se Bosnjë-Hercegovina mund të përfitojë në tregun vendas nga hallalli.

 “Prodhime të tilla mund të ndihmojnë të mbillen shumë toka të papunuara dhe gjithashtu të punësohet një numër i madh njerëzish”, tha Lijanoviçi.

Turizmi hallall në rajon është ende në zhvillim. Janë bërë hapa në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Slloveni, ku janë certifikuar 15 hotele, restorante dhe agjenci udhëtimi.

Më 2011, bota myslimane shpenzoi 94 miliardë euro në sektorin e hallall, tha Fazal Bahardeen, drejtor i “Crescent Rating”, kryesuese në nivel botëror për normimin e restoranteve dhe hoteleve të hapura ndaj prodhimeve hallall.

“Për shkak se numri prej 57,000 myslimanësh në Kroaci nuk është treg i madh, të gjitha kompanitë që përbëjnë boshtin e industrisë ushqimore kroate kanë fabrikat e tyre në Bosnjë-Hercegovinë”, thotë Aziz Hasanoviç, drejtor i qendrës kroate për certifikimin hallall të cilësisë.

Në Serbi, Malin e Zi dhe Maqedoni, interesi në certifikimin hallall është në rritje.

“Duke futur certifikimin hallall kemi krijuar kushtet për një rritje të shitjeve në vendet myslimane, që mbulojnë një të katërtën e botës. Kompanitë nga Katari po shohin të blejnë një sasi të madhe mishi nga Maqedonia”, tha Zllatko Dimitrevski, drejtor i “Vigo 48” në qytetin e Manastirit në Maqedoni.

(th.m./Agjencia e lajmeve “Dyrrah”)