TIRANË-Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD), zhvilloi sot mbledhjen e radhës nën drejtimin e Presidentit Bujar Nishani, mbi një axhendë ku ishin përfshirë disa çështje të rëndësishme për sistemin gjyqësor. 

Gjatë kësaj mbledhjeje u zhvillua ceremonia publike e betimit të gjyqtareve të sapo emëruara, Zj. Evjeni Sinoimeri dhe Zj. Valbona Vata. Presidenti i Republikës në fjalën e tij me këtë rast, vlerësoi kontributin e tyre gjatë karrierës profesionale. 

Gjithashtu, KLD u njoh me relacionin e Kryetarit të Komisionit Administrues të Testimit për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Administrativë të Shkallës së Parë dhe të Apelit, mbi punën e realizuar nga ky Komision dhe nga Komisioni i Fondit të Pyetjeve, në përmbushje të detyrimeve ligjore. 
Në diskutimet e anëtarëve të Këshillit, u theksua vullneti i të gjithë aktorëve të përfshirë në realizimin e procesit përzgjedhës, për vënien në funksion të Gjykatave Administrative brenda një kohe sa më të shpejtë, duke u bazuar në impaktin që kjo Gjykatë do të ketë në dhënien dhe cilësinë e drejtësisë për qytetarët. 

Presidenti i Republikës vlerësoi si prioritet realizimin e një procesi përzgjedhës të kandidatëve për gjyqtar, sa më transparent dhe të besueshëm së pari për vetë gjyqtarët e më pas për publikun. Ekspertët e misionit EURALIUS shprehën gatishmërinë për të monitoruar këtë proces të rëndësishëm. 

Me propozim të Presidentit Nishani, u vendos që brenda datës 28 shkurt, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës duhet t'i përcjellë zyrtarisht Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vendimin me emrat e anëtarëve të Komisionit Administrues të Testimit të zgjedhur nga ai (Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës). 

Më pas mbledhja vijoi me rishqyrtimin e Projektaktit – Përfundimtar të Vlerësimit të Gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, Ahmet Jangulli, pas shqyrtimit të kërkesës së tij ankimore. Në përfundim, Këshilli vendosi sërish vlerësimin "mirë" për këtë gjyqtar. 

Këshilli miratoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, me objekt "Pezullimi i kërkesave për procedim disiplinor ndaj tre gjyqtarëve, në çështjet gjyqësore me objekt "Kundërshtim veprimesh përmbarimore, sigurim padie", me palë të tretë Bankat e Nivelit të Dytë". 

Këshilli vendosi të shtyjë për mbledhjen e ardhme, shqyrtimin e propozimit të Ministrit të Drejtësisë për procedimi disiplinor ndaj një gjyqtari të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i cili nuk ishte i pranishëm në mbledhje. 

Këshilli shqyrtoi edhe kërkesat për delegime të gjyqtarëve. 

Pas diskutimeve të disa anëtarëve të tij, me propozim të Presidentit të Republikës, Këshilli vendosi ngritjen e një grupi pune me anëtarë të tij, për hartimin e rregullave të reja për procedurat që do të ndiqen në delegimet e gjyqtarëve.