TIRANË – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrton të enjten raportet e auditëve teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe procesin e hartimit të listave, deri më datën 3 shkurt 2013.
Dy auditët teknicienë të caktuar nga KQZ, përkatësisht nga kryetarja dhe nënkryetari, kanë paraqitur raporte të veçanta, ku jepen shifra dhe konstatime të ndryshme.
Kështu, raportet paraqesin se në ekstraktin e listave zgjedhore figurojnë mbi 1000 zgjedhës mbi 100 vjeç. Auditi i propozuar nga nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba raporton për 1189 zgjedhës në moshën mbi 100 vjeç, ndërsa auditi i propozuar nga kryetarja Lefterije Lleshi jep shifrën e 1057 zgjedhësve të kësaj moshe.
Në bazë të ndryshimeve në kodin zgjedhor(neni 51), "Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, jo më vonë se 15 ditë nga dita e dekretimit, zyra e gjendjes civile nxjerr në format elektronik ekstraktin me përbërësit zgjedhorë të të gjithë shtetasve me të drejtë vote në datën e zgjedhjeve, me përjashtim të shtetasve që kanë mbushur 100 vjeç deri në këtë datë".
Ky përjashtim është bërë për të shmangur praninë në lista të zgjedhësve, që edhe mund të kenë vdekur. Por, kjo nuk i heq të drejtën e votimit zgjedhësve të moshës mbi 100 vjeç, të cilët mund të bëhen pjesë e listës së votuesve pas një kërkese të familjarëve të tyre pranë zyrave të gjendjes civile.
Një tjetër e dhënë që paraqitet në raportet e auditëve teknicienë është dhe ajo për numrin e qendrave të votimit, të krijuara me një numër zgjedhësish mbi maksimumin e lejuar nga kodi zgjedhor. Kështu njëri raport flet për 688 QV të tilla, ndërsa raporti tjetër konstaton 2676 QV, me më shumë se 1000 zgjedhës, si parashikohet në ligjin zgjedhor.