TIRANË, 13 shkurt 2013 – Kryeministri Berisha gjatë një bashkëbisedimi me studentë e pedagogë parashtroi para tyre projektin e 4 viteve të ardhshme, siç e quajti ai projektin “Shqipëria vend i zhvilluar”. Nga Qyteti Studenti, kreu i qeverisë tha se formësimi i këtij projekti do të bëhet “duke marrë sugjerimet, opinionet dhe kritikat e qytetarëve shqiptarë”.
Duke theksuar se ky projekt është fryt i një pune të gjerë e intensive, kryeministri tha që në nisje se ai sot është publiku e studentët janë kryeministri i tij.
“Në politikë ka një rregull dhe do ta quaja rregulli i artë. Politikani duhet të pranojë me të gjithë vetëdijen e tij se ndonjëherë ai udhëheq, por duhet të pranojë të udhëhiqet nga ata që drejton, përndryshe e ka shumë të vështirë të ketë një sukses të qëndrueshëm. Nga dita e sotme ju jeni kryeministri im dhe unë jam qytetar që duhet t’ju dëgjoj juve”, tha ai.
Kreu i qeverisë u tregua i gatshëm të flasë për çdo pyetje të drejtuar nga auditori. Duke folur për nacionalizmin në Ballkan, Berisha u tha studentëve se, nëse në Ballkan ka patur një nacionalizëm kryekëput qytetar, ky ka qenë nacionalizmi i shqiptarëve.
“Nacionalizmi shqiptar,- theksoi kryeministri,- nuk ka synuar asnjë pëllëmbë territore të vendeve të tjera përkundrazi ka synuar të vendosë marrëdhënie qytetare me këdo, duke shtuar se shqiptarët nuk kanë të regjistruara masakra, ndaj asnjë kombi”.
Duke iu referuar përmendjes së vrasjes së serbëve në veri te vendit, Berisha tha se janë vrarë sepse duke ikur ata digjnin çdo gjë. Lidhur me origjinën e Heroit tonë Kombëtar, Berisha tha se nuk mund të vihet në diskutim origjina e një figure botërore, nga thashetheme konsujsh.
Ndërkohë i pyetur mbi taksën e sheshtë dhe asaj progresive Berisha tha:
“Të paktën në dy shekujt e fundit, taksa progresive është koncepti marksist. Edyta, ajo e sheshta është koncepti konservator që kulmoi me Ronald Regan. Taksa e sheshtë i beson parimit se paratë në kontot e biznesmenëve dhe qytetarëve janë më të vlefshme për shoqërinë se ato në llogarinë e shtetit. Po të marrim sistemin privat, ai gjeneron në një orë të gjitha buxhetet. Është absolutisht raporti i gjigandit me nanin. Në konceptin progresiv ka një qëndrim jo miqësor ndaj të pasurit, në një farë mënyre i targeton ata si përgjegjës për të varfrit dhe pjesën tjetër. Historia fakton se ky koncept është rrënues. Ti s’mund të rimëkëmbësh të varfrin duke shkatërruar të pasurit”, tha Berisha.