TIRANE- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta u shfaq para gazetarëve duke komentuar së pari firmosjen e projektit TAP në Athinë mes Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë. Sipas Metës gazi tanimë do të mund të përdoret shumë shpejt prej shqiptarëve për të përmbushur nevojat e tyre me një kosto më të ulët.
“Gjej rastin të falënderoj qeverinë dhe veçanërisht Ministrinë e Ekonomisë për këtë arritje. U bëj thirrje të gjitha partive të lënë mënjanë axhendat personale partiake duke ju përkushtuar projekteve që shkojnë përtej një qeverisjeje. Kjo është një ditë për të cilën të gjithë duhet të jemi krenar pavarësisht ndasive politike”, u shpreh Meta.
Në vlerësimin e tij, Shqipëria shihet sot si partner serioz në projektet strategjike dhe një faktor i rëndësishëm rajonal. “Kjo autostradë e gazit do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të realizuar aspiratat e shqiptarëve për tu bërë pjesë e familjes evropiane. Klasa politike duhet të krijojë një klimë më bashkëpunuese sa herë bëhet fjalë për axhendën e integrimit. Sot kemi rastin ta dëshmojmë këtë në interesin e qytetarëve”, u shpreh Meta.
I pyetur nëse ka takuar kreun e socialistëve Edi Rama gjatë vizitës së tij të fundit në Itali ai tha se nuk e ka patur këtë mundësi pasi është takuar vetëm me komunitetin e shqiptarëve që qëndrojnë në këtë vend.
Duke komentuar çështjen e koalicioneve dhe deklaratat e kreut të grupit parlamentar demokratik Astrit Patozi se në 23 Qershor PD-LSI do të hyjnë bashkë në zgjedhje, Meta tha se “prioritet është miratimi i dy ligjeve dhe projektrregullores brenda muajit prill”.
Duke komentuar çështjen e rikthimi të Eduard Selamit në politike, Meta tha se “rikthimi i tij në politikën shqiptare do të ishte diçka mjaft pozitive dhe kam parasysh këtu mesazhet e tija të përmbajtura e të përgjegjshme”.