TIRANE- Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare e ka kaluar vetëm me votat e mazhorancës projektligjin për armët.
Deputetët e opozitës nuk dhanë miratimin e tyre me pretendimin se nuk u pasqyruan në projektligj kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura në seancat e diskutimeve.
Deputetët socialistë ngritën shqetësimin e parë se nisma ligjore vjen në një moment të papërshtatshëm që përkon me prag zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Të majtët kërkuan që mbi të gjitha të shfuqizohet neni 18 i ligjit që përcakton mbajtjen e armëve nga deputetët dhe ministrat.
Zëvendës ministri i brendshëm Arben Ristani reagoi duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje mes projektligjit që po shqyrtohet dhe fushatës së zgjedhjeve të ardhshme.
I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga deputetët e mazhorancës në komision sipas të cilëve ligji është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe se shqetësimet e opozitës janë të pabaza.
Demokratët thanë se ligji nuk cënon askënd dhe si i tillë duhet të mbështetet nga opozita.