ATHINË– Firmoset marrëveshja mes tre shteteve (Shqipëri-Greqi-Itali) për projektin TAP. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Ekonomisë e Energjetikës, e cila bën me dije se marrëveshja e cila u firmos në Athinë, përcakton bashkëpunimin mes 3 shteteve (Greqi-Shqipëri-Itali) për projektin e gazësjellësit TAP, i cili garanton 2 miliardë dollarë investime për Shqipëri si dhe 20 mijë vende pune. 

Marrëveshje tripalëshe, u firmos sot në Athinë, nga pala shqiptare përmes zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë e Energjetikës, Edmond Haxhinasto. 

Marrëveshja mundëson bashkëpunimin ndërmjet tre vendeve për zbatimin e projektit të TAP, si një projekt me rëndësi strategjike për kontributin ekonomik e zhvillimor për të tre vendet, rajonin dhe më gjerë në Europë. Ky projekt veçanërisht për Shqipërinë paraqet mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë, përmes gazifikimit të vendit. Gazsjellësi Trans Adriatik do të sjellë gazin natyror nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik, në Europën Perëndimore. 

BERISHA: MARRËVESHJA ME RËNDËSI TË JASHTËZAKONSHME 

Kryeminsitri i vendit Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, vlerësoi se “firmosja e marrëveshjes në Athinë të projektit TAP është me rëndësi të jashtëzakonshme”. 

GAZSJELLËSI TAP 

Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit. Aksionerët e TAP janë EGL zvicerane, Statoil norvegjeze dhe E.ON Rurgas gjermane. Në projekt bashkëpunon edhe kompania italiane e energjisë, "Enel".