SHBA-të monitorojnë me kujdes përgatitjet e Athinës për të shpallur në mënyrë të njëanshme zonën ekonomike ekskluzive (EEZ).
Ndërsa kryeministri grek, Antonis Samaras përgatitet të vizitojë Ankaranë në fillim të marsit, amerikanët paralajmërojnë se lëvizjet e njëanshme mund të shkaktojnë reagime të pakontrollueshme dhe se çështja e EEZ nuk është e kufizuar vetëm me Turqinë, derisa flitet për demarkacionin e kufijve detarë edhe me vendet e tjera fqinjë si Shqipëria, Libia dhe Egjipti.
Uashingtoni shprehet hapur kundër një lëvizjeje të tillë nga ana e Greqisë dhe inkurajon promovimin e marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe. Ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit Phil Gordon tha në Athinë, se SHBA njeh të drejtën e vendeve për të shpallur Zonat Ekonomike Ekskluzive, por vlerëson shumë të rëndësishme shmangien e hapave të njëanshëm. Ai shtoi qartë se ”nuk do të ishte në interes të Greqisë të vazhdojë me një lëvizje të tillë, pa bashkëpunimin e plotë të fqinjëve të saj, duke përfshirë Turqinë”.
Greqia inkurajohet të shfrytëzojë kanalet e konsultimit, në mënyrë që çdo hap në këtë çështje të bëhet në bashkëpunim dhe në interes të të gjitha palëve. “Të jesh në gjendje të deklarosh Zonat Ekonomike Ekskluzive, ose jo, nuk është një çështje e thjeshtë dhe kjo është arsyeja pse duhet të bëhet me konsensus”, u shpreh Gordon.
Në fillim të janarit, shtypi vendas njoftoi se Greqia është përgatitur të dërgojë në OKB një raport të njëanshëm për kufijtë e Shelfit Kontinental, edhe pse nuk e ka mbyllur çështjen me vendet fqinje. Sipas raporteve, është Samaras që e mbështet fort këtë skenar, ndërsa ministri i punëve të jashtme Dimitris Avramopulos përfaqëson krahun e moderuar, që kërkon të bëhet kujdes duke paralajmëruar reagime nga fqinjët, Turqia, Egjipti, Libia apo dhe Shqipëria.
Turqia ishte e para dhe e vetmja deri tani, që reagoi nëpërmjet dy ministrave të qeverisë, të cilët paralajmëruan Athinën se nëse bën një lëvizje të tillë, edhe Ankaraja do të ndërmarrë hapat e veta. Me Shqipërinë, Greqia nënshkroi një marrëveshje në vitin 2009, e cila u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.